Amnesty International ka thënë se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për dërgimin e emigrantëve të shpëtuar në Detin Mesdhe në qendrat e ndalimit në Shqipëri është e “jashtëligjshme dhe e pazbatueshme”.
Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, nënshkruan një marrëveshje sipas të cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët të cilët i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm
Por, Elisa De Pieri, hulumtuese rajonale në Amnesty International, tha se njerëzit që shpëtohen nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe për këtë arsyeje nuk mund të dërgohen në një vend tjetër para se kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale të jenë shqyrtuar.
“Ajo është e jashtëligjshme, e pazbatueshme dhe duhet të shfuqizohet”, tha ajo.
Ajo e akuzoi Italinë se përmes kësaj marrëveshjeje po përpiqet ta shmangë ligjin ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian “duke pretenduar se njerëzit e ndaluar do të mbesin nën juridiksionin italian”.
Qeveria shqiptare njoftoi të martën se Italia ia ka ndarë tashmë 16.5 milionë euro si paradhënie për shpenzimet e mbajtjes së emigrantëve në kampe në territorin e saj në bazë të marrëveshjes.
Dy kryeministrat deklaruan se marrëveshja ka tre objektiva “të luftojë trafikimin e paligjshëm, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.”
Por, De Pieri tha se marrëveshja ka të bëjë me “kthimin” e emigrantëve, një praktikë e cila është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilin Italia është dënuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e njeriut në vitin 2012, për kthimin mbrapsht në det të emigrantëve dhe azilkërkuesve afrikanë.
Ajo paralajmëroi “pasoja të rënda” për njerëzit që kërkojnë azil, duke shtuar se ata mund të mbahen gjatë në qendrat e ndalimit dhe mund të përballet me shkelje larg monitorimit nga autoritetet gjyqësore italiane.
Kjo marrëveshje shkaktoi reagime të shumta në të dyja shtetet, kryesisht për shkak të mungesës së transparencës.
Amnesty International i bëri thirrje Qeverisë së Italisë t’i përmbushë detyrimet e veta nga ligji ndërkombëtar për moskthimin e emigrantëve, si dhe i bëri thirrje Komisionit Evropian të mos i lejojë vendet anëtare ta shkelin të drejtat e azilkërkuesve.