Takimi i ambasadorit serb me presidentin amerikan Joe Biden u prit me shqetësime në Kosovës.
Mirëpo ky takim vlerësohet se nuk ndikon në raportin mes Kosovës dhe Amerikës.
Megjithatë, opinionisti Artan Muhaxheri thotë se është shqetësuese se liderët e Kosovës ende nuk kanë zhvilluar takime të këtij niveli në Amerikë.
“Nuk është aq tragjike vizita e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë, sa është mungesa e liderëve kosovarë atje sepse Serbia mund t’i përmirësojë raportet me Shtetet e bashkuara të Amerikës, por Kosova nuk guxon t’i dëmtoje ato”, tha Muhaxheri në RTV Dukagjini.
Për takimin e tillë Gjuriqi mori lëvdata nga ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.
Një deklaratë të tillë Muhaxheri e vlerëson si trysni ndaj liderëve kosovarë.
“Është një lloj presioni nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj liderëve të Kosovës, pasi ata gjithmonë llogarisin se me këto deklarata bëjnë presione përmes publikut, që publiku të bëjë presion te liderët për të rritur gatishmërinë për bashkëpunim më të madh me Amerikën”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Sipas profesorit Milazim Krasniqi, prezenca e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë i përçoi botës një tjetër mesazh.
“Ishte një mesazh se Serbia po tenton tërheqjen nga Rusia dhe po pozicionohet drejt botës perëndimore. Por ngjarjet që pasuan janë shqetësuese, pasi të nesërmen erdhi sistemi raketor kinez në Serbi që është i dizajnuar kundër NATO-s”, deklaroi Krasniqi.
Sipas Vlora ÇItakur takimi i Gjuriqit ishte i zakonshëm.
Për javët në vazhdim është paralajmëruar një vizitë e presidentes Vjosa osmani në SHBA. Sipas Presidencës do të zhvillohen takime të niveleve të ndryshme.
Vizitën në Amerikë ka kohë që e ka paralajmëruar edhe kryeministri albin Kurti, por që nuk dihet se kur do të realizohet ajo./Telegrafi/