Vizita e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe të Dërguari të Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duket se nuk i ka përmbushur pritshmëritë e atyre që prisnin prej tij një “colpo di grazia” kundër Sali Berishës. Ai ka dhënë mesazhe disi me dy faqe, duke qëndruar në një tonalitet shumë më të ulët se ai që ka përdorur ambasadorja Yuri Kim në Tiranë. Natyrisht që ai ka mbrojtur vendimin e sekretarit të shtetit Blinken për shpalljen “non grata”, ka hedhur poshtë akuzat se ai është një vendim politik, apo i ndikuar nga Xhorxh Soros.
Ai ka theksuar gjithashtu se zyrtarët amerikanë nuk do të takohen me Berishën për sa kohë ai është i shpallur non grata.
Por, nga ana tjetër lidhur me dilemat e atyre që pretendojnë se SHBA duhet të ndërhyjë në garën e brendëshme të PD, Escobar ka qenë i qartë: “Nuk na takon ne të zgjedhim udhëheqësit tuaj”. Ai i’u ka dhënë përgjigje edhe të tjerëve që pretendonin se SHBA duhet të vazhdojë me përshkallëzimin e masave ndaj liderit historik të PD-së duke sqaruar se po të duan shqiptarët këtë le ta bëjnë me organet e tyre.
Pra në intervistën për neës 24, ku gazetari Sokol Balla bëri pyetje më të gjata se përgjigjet që mori, Escobar nuk i realizoi pritshmëritë e atyre që paralajmëronin prej javësh linçimin e Berishës. E vërteta është se ai mbrojti vendimin e Non Grata, foli për vështirësitë që do të ketë PD nëse bën një rokadë lideri, por as nuk hodhi fall për “ngrënie bari”, as për arrestime dhe as për ngrirje llogarish, sikurse është përfolur kohëve të fundit. Mesazhi i tij qe i qartë ne e bëmë tonën, gjithçka tjetër u takon shqiptarëve. Ai tregoi më pak zell në luftën e brendëshme politike sesa ambasadorja lokale duke mos përmendur asnjë nga gjëmat e parathëna në javët para Kuvendit Kombëtar të PD-së.
©Lapsi.al
Pjesa kryesore e intervistës
Sokol Balla: Në fakt, ju erdhët në Shqipëri në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, vetëm një ditë pasi pamë Urdhra të tjerë Ekzekutivë nga Presidenti Biden, strategji kundër korrupsionit, edhe sot sekretari Blinken shpalli përcaktime publike të tjera për liderë të korruptuar në Amerikën Latine por edhe në Ukrainë.
ZV/NS Escobar: Dhe do ketë akomë më shumë.
Sokol Balla: Do ketë më shumë? Përfshirë Shqipërinë?
ZV/NS Escobar: Do të ketë më shumë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Sokol Balla: Përfshirë Shqipërinë?
ZV/NS Escobar: Nuk dua t’i paraprij sanksioneve tona por do të ketë më shumë në Ballkanin Perëndimor.
Sokol Balla: Dakord, atëherë le ta çojmë bisedën drejt e në thelb. Departamenti i Shtetit e cilësoi Sali Berishën dhe familjen e tij si ‘non-grata’ për SHBA-në dhe ky ishte rasti i katërt pas Llallës, Dakos dhe Doshit. Shumë njerëz pyesin pse kaq shumë shqiptarë në këtë listë të zezë? Pra, ne nuk e shohim që të ndodhë… ok, duke përjashtuar rastin e veriut të Kosovës dhe Serbisë në dy ditët e fundit, nuk e kemi parë të ndodhë kaq shumë në Ballkanin Perëndimor. Dikush mund të mendojë, a jemi ne shqiptarët më të këqijtë e djemve të këqinj?
ZV/NS Escobar: Jo! Në fakt, do të shihni më shumë! Por në fakt, kjo është pyetja që marrim nga shumë njerëz. Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit apo serbët. Por e vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është. Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes. Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik.
Sokol Balla: Dakord, por shumë njerëz do të thoshin se në rastin e Berishës, ka qenë larg pushtetit për shumë vjet, 8 vjet tani, dhe ka njerëz të tjerë që janë në pushtet dhe Shqipëria ishte dhe vazhdon të tjetë një vend ku korrupsioni është i lartë, ose të paktën perceptimi i korrupsionit është shumë i lartë dhe shumë thonë, pse shkoni dënoni Berishën dhe nuk shpallni të tjerë që janë ende në pushtet?
ZV/NS Escobar: Sepse nuk është një vendim politik. Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion.
Sokol Balla: Pra po sugjeroni që kur ishte fjala për shpalljen e Berishës dhe familjes së tij, puna ndodhi edhe nën administratën Trump?
ZV/NS Escobar: Po.
Sokol Balla: Dakord, disa këtu thonë se është skemë e Sorosit dhe miqve të tij, përfshi Edi Ramën dhe ambasadoren tuaj këtu.
ZV/NS Escobar: Çfarë thonë?
Sokol Balla: Thonë që Xhorxh Soros po sponsorizon një lëvizje të tillë kundër Sali Berishës sepse Z. Berisha bllokoi ndarjen e Kosovës apo rishkrimin e kufijve me Serbinë.
ZV/NS Escobar: Absolutisht nuk është rasti. Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme.
Sokol Balla: Pse?
ZV/NS Escobar: Sepse nuk dua që njerëzit t’i shohin këto mendime dhe këto shpallje si mjet politik. Këto janë përpjekje institucionale për të luftuar korrupsionin. Ja se ç’janë. Ndaj, nuk u bë nga një administratë, nuk u bë nga një vendim-marrës, dhe nuk u bë nga një anëtar apo një organizatë brenda kabinetit. Ishte një përpjekje kolektive dhe arritëm konsensus për të.
Sokol Balla: Ok, pasoja e parë që shohim tani, që e sugjerojnë edhe sondazhe private, është se që nga muaji maj kur ndodhi shpallja dhe sidomos që kur filloi lëvizjen e tij foltorja, Sali Berisha duket se është bërë, e dini, guxoj ta them, më popullor mes demokratëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Disa thonë se kjo është dobësim i Amerikës mes shqiptarëve, gjë që unë nuk e besoj, por njerëzit e thonë. Disa të tjerë e shohin si shenjë që shoqëria po maturohet, e duam Amerikën, por mund ta kritikojmë kur bëjnë një gabim. Disa të tjerë mendojnë se u bë në mënyrën e gabuar, ajo që iu bë atij. Por unë si gazetar që dua të shkoj tek e vërteta dhe transparenca, do të doja të kisha një përgjigje më të qartë se pse konkretisht, Z. Berisha dhe familja e tij u shpallën non-grata nga Departamenti i Shtetit?
ZV/NS Escobar: Ja pyetja për ju: Ku janë hetuesit vendas dhe prokurorët vendas në raste si këto? Dua të them, ne e bëmë sipas ligjeve tona, rregullave tona, autoriteteve tona. Por edhe ju keni disa në vend. Pra, nëse doni ta dini, hetoni. Nëse doni të dënoni, bëni ndjekje penale. Nëse doni të ndëshkoni, dënoni njerëzit që janë pjesë e këtij korrupsioni sepse kjo nuk ka të bëjë me Amerikën që lufton korrupsionin në Shqipëri, por ka të bëjë me Amerikën që mbështet luftën tuaj kundër korrupsionit..
Sokol Balla: Dhe jam absolutisht dakord me ju, ishte pyetje retorike. Jam plotësisht në një mendje me ju.
ZV/NS Escobar: Imja nuk ishte retorike.
Sokol Balla: Z. Escobar, Berisha pretendon se do të marrë, në kuptimin e parë të fjalës, Partinë Demokratike, nesër në mitingun që ka orgnaizuar në Tiranë. Javën e kaluar, Z. Basha, kreu i Partisë Demokratike më tha në një intervistë se është i gatshëm të përballet me Berishën dhe njerëzit e tij në çdo, citoj këtu, skenar të mundshëm. Por shumë vrasin mendjen nëse Basha mund t’ia dalë ta ndalojë Berishën dhe disa thonë tani se autoritetet nuk e bëjnë punën, sistemi i drejtësisë nuk e bën punën, dhe tani punën duhet ta mbarojnë SHBA-të. Si i përgjigjeni kësaj?
ZV/NS Escobar: Shiko, marrëdhënia jonë është një marrëdhënie e pjekur mes aleatëve në NATO. Nuk është në dorën tonë të zgjedhim udhëheqësit tuaj, por do të nxisja njerëzit të mendojnë me shumë kujdes se cilët udhëheqës zgjedhin, se në cilën rrugë duan të jetë Shqipëria. Dhe shpresojmë se përgjigja do të jetë një rrugë me fokusin europian, përkushtuar ndaj NATO-s, dhe përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit.
Sokol Balla: Ambasadorja juaj këtu e ka bërë të qartë pozicionin e Departamentit të Shtetit se çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike nëse gjërat shkojnë nga ana e Berishës. A keni një mesazh tjetër për ta plotësuar?
ZV/NS Escobar: Nuk takohemi me të. Është i shpallur. Pra, do të ketë pasoja nëse Partia Demokratike zgjedh dikë që është i shpallur për të qenë udhëheqësi i saj.
Sokol Balla: Si? Keni zgjedhur më parë, dua të them Departamenti i Shtetit ka zgjedhur më parë edhe organizata politike që kanë qenë në listë, në listë të zezë…
ZV/NS Escobar: …shumë rrallë …
Sokol Balla: …shumë rrallë, do të ishte ky rasti?
ZV/NS Escobar: Nuk e kuptoj pse do të ishte ky rasti. Dhe e di që njerëzit duan ta krahasojnë me rastin e Milorad Dodikl; me që ra fjala, ne takohemi me të vetëm sepse është në presidencën treshe, takohemi me presidencën, jo me të. Nuk takohemi me të në Sarajevën lindore, nuk takohemi me të në Banja Luka dhe nuk takohemi me të në Pale, dhe sigurisht që nuk e ftojmë në Uashington dhe nuk ftohet në Bruksel apo ndonjë kryeqytet europian tjetër. Pra, mendojeni atë si shembull.
Sokol Balla: Lidhur me situatën në PD, përsëri, po thoni që në skenarin që kthehet Sali Berisha, keni një përgjigje për këtë?
ZV/NS Escobar: Ne kemi një politikë për këtë. Por shiko, vërtet dua të flas më shumë për marrëdhënien dypalëshe se sa thjesht për Sali Berishën sepse Shqipëria është më shumë se thjesht Sali Berisha. Ky është një vend vërtet dinamik me shumë mundësi që po tregon udhëheqësi në çdo anë, në NATO, në marrëdhënien dypalëshe dhe tani me Këshillin e Sigurimit, dua të flas për këto, aty po shkon marrëdhënia jonë, aty do të jetë marrëdhënia jonë. Dhe aty duam partnerët tanë të qëndrueshëm të jenë, të gjejnë kush janë udhëheqësit që do ta çojnë Shqipërinë në atë drejtim. Ndaj, vërtet nuk dua të flas për të shkuarën sepse e shkuara është në të shkuarën tashmë, të flasim për të ardhmen dhe le të flasim për mundësitë e jashtëzakonshme që kemi këtu me Shqipërinë. Dhe më lejoni të them diçka tjetër: një nga arsyet pse kjo administratë ka shpenzuar shumë kohë dhe fokus në këtë pjesë të botës është sepse Ballkani Perëndimor janë një mundësi vërtet e jashtëzakonshme për rritje ekonomike, për rritje të partneritetit. Nëse shihni këtë pjesë të botës, është pjesa që rritet më shpejt në Europë. Ka njerëz që janë vërtet të përqendruar tek krijimi i një të ardhmeje më të mirë për njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën dua të flas.