Albania
Analiza/ Sa vota nevojiten për një deputet në zgjedhjet e 11 majit
BIRN, Gjergj Erebara/ Teorikisht, 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përfaqësojnë trupën politike, e cila, në zgjedhjet e 11 majit përbëhet nga 3.7 milionë votues. Kjo është vetëm teorikisht, sepse një pjesë e konsiderueshme është në emigrim, shumë prej dekadash dhe rrjedhimisht janë pjesë e trupës politike vetëm nominalisht.
Në zgjedhjet e vitit 2021, kur numri i votuesve në regjistrin civil ishte 3.59 milionë vetë, pjesëmarrja ishte 46% dhe, mesatarisht, afërisht 12 mijë votues nxorrën një deputet. Duke marrë parasysh se një pjesë e votave ishin të pavlefshme, dhe një pjesë shkuan te partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, të cilët nuk prodhuan mandate, të katër partitë që morën mandate morën mesatarisht 11 mijë vota për mandat.
Formula D-Hondt e mesatareve më të larta njihet se favorizon partinë më të madhe. Rrjedhimisht, në rang kombëtar, Partia Socialiste fitoi secilin nga 74 mandatet e saj për çdo 10,400 vota. Partia Demokratike mori secilin nga të 59 mandatet për afërsisht 10.600 vota ndërsa Partia Socialdemokrate mori tre mandate me mesatarisht me 11,800 vota. Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, mori vetëm katër mandate edhe pse grumbulloi në rang kombëtar 108 mijë vota, me një mesatare prej 27 mijë votash për mandat.
Numri i votave të nevojshme për mandat në secilin qark në zgjedhjet e 11 majit do të varet nga pjesëmarrja, e cila është diçka e paparashikueshme. Shqipëria pëson ndryshime të forta demografike çdo vit dhe Censi i vitit 2023 gjeti në Shqipëri afërsisht gjysmë milioni njerëz më pak se sa Censusi i vitit 2011, gjë që sugjeron rënie vjetore të popullsisë banuese me rreth 40 mijë vetë dhe rënie vjetore të popullsisë votuese me rreth 30 mijë vetë.
Kjo do të thotë se mes zgjedhjeve të vitit 2021 dhe atyre të vitit 2025, rreth 120 mijë votues mund të jenë larguar. Por kjo është e pamundur të dihet me saktësi sepse, ndonëse është e sigurt se mes Censit dhe Censusit, ka pasur rënie popullsie, ne nuk mund ta dimë nëse kjo rënie popullsie ka ndodhur në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë të gjithë periudhës apo ka pasur vite kur rënia ka qenë më e fortë e vite të tjera kur ka qenë më e paktë.
Në këto zgjedhje, pjesëmarrja pritet të ndikohet edhe nga rreth 246 mijë shqiptarë, të cilët janë regjistruar për të votuar me postë. Në rast se këta të gjithë do të votojnë, pjesëmarrja ka gjasa do të jetë më e lartë se sa më 2021 dhe rrjedhimisht, numri i votave të nevojshme për të kapur mandatin e fundit do të jetë më i lartë.
Formula D-Hond pjesëton numrin e votave që ka marrë secila parti, fillimisht me 1, pastaj me 2 e me radhë, deri sa të mbarojnë mandatet për t’u ndarë. Partisë që i del herësi më i lartë nga pjesëtimi, merr mandatin. Rrjedhimisht, ajo që diskutohet, dhe që është përcaktuese për rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve, është i ashtuquajturi mandat i fundit. Ky është edhe mandati që praktikisht synohet nga të gjitha partitë e vogla, veçanërisht në Tiranë.

Mandati i fundit është ndarë në secilin qark në varësi të pjesëmarrjes. Në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja në Tiranë ishte veçanërisht e lartë, 53% në krahasim me mesataren kombëtare që ishte 46%. Kjo do të thotë që mandati i fundit në Tiranë u fitua me 12 mijë vota ndërsa, në Dibër, mandati i fundit u fitua me 7255 vota. Qarqet e tjera janë mes këtyre dy shifrave si në grafik. Në Shkodër, Partia Socialdemokrate arriti të rrëmbejë dy mandate me pak më shumë se sa 16 mijë vota.
Votat e djegura ndihmojnë të mëdhenjtë
Të dhënat e zgjedhjeve të vitit 2021 sugjerojnë se shumë mandate kyçe për maxhorancën u fituan falë “votave të djegura”, pra votave të fituara nga partitë e vogla, kryesisht LSI. Në qarqet Durrës e Berat, LSI humbi mandat për vetëm disa dhjetëra vota. Rrjedhimisht, ndarja e opozitës kryesore në katër koalicione konkurrente, Berisha-Meta, Shehi-Alibeaj, Partia Mundësia e Shehajt dhe Euroatlantikët e Bashës, sugjeron se në shumë qarqe do të ketë shumë vota të cilat nuk do të arrijnë të prodhojnë mandat. Mandatet e humbura nga këto parti do të bien në prehërin e forcës politike që merr shumicën e thjeshtë në secilin qark.
Albania
Gjykata refuzon sekuestrimin e 20 pasurive të Kristjan Boçit dhe Elman Abules
Gjykata e Tiranës, ka vendosur të mos sekuestrojë rreth 20 pasuri me vlerë gati 50 milion euro, për të cilat policia dhe prokuroria e kryeqytetit, ka pasur indicie të forta se vijnë nga aktiviteti kriminal i personave që i posedojnë ato.
Informacionet e siguruara nga gazetari Elton Qyno, tregojnë se miku i Erjon Veliaj, Elman Abule, që sot në Tiranë konsiderohet biznesmen i sukseshëm, në vitin 2004-2005, ka qënë në Belgjikë një hajdut i dhunshëm, duke përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes.
Drejtoria e Interpolit në 12 shtator 2023 është informuar se Elman Abule rezulton i dënuar më datë 17 janar 2007, nga Gjykata e Antvvep, me 30 muaj burg për veprën penale të “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u dënuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për “krijim bande”.
Gjithashtu, rezulton se miku i Abules dhe ish-ortak me subjektin “Rametal” dhe shoqërinë tjetër “Ferro Chrome Holding”, ka qënë Kristian Boçi, i përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe i arrestuar në vitin 2011 në Itali, i cili njihet për lidhjet e tij dhe me persona të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve si Eldi Dizdari.
Gazetari Qyno,ka mësuar se vendimi i mospranimit të kërkesës së prokurorisë, është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtari i Tiranës, Altin Abdiu, i cili në fillim të muajit qershor 2025 u rikthye në funksionin e gjyqtarit nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Abdiu, refuzoi të sekuestrojë 20 shoqëri tregtare, dyqane, apartamente e vila me vlerë rreth 50 milionë euro, të cilat zotërohen nga Kristian Boçi, Elman Abule, mik i afërt i Erjon Veliaj, Vladimir Avramit si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me këta persona.
Ndërkohë pritet që me zbardhjen e vendimit të gjykatës, prokuroria e Tiranës të ushtrojë Apelim në gjykatën e Apelit, duke kërkuar sekuestrimin e këtyre pasurive.
Albania
Stuhia Arktike mbërrin në Evropë: ç’mund të presë Ballkani?
Pas një periudhe moti më të qëndrueshëm të dominuar nga blloku i fortë Rex, i cili ruajti kushte relativisht të qeta dhe shpesh të buta në pjesën më të madhe të Evropës gjatë periudhës së Krishtlindjeve, rrethanat në atmosferë po ndryshojnë.
Ky sistem me presion të lartë po lëviz ngadalë drejt perëndimit, duke hapur rrugën që masat e ftohta ajrore Arktike të zbresin drejt pjesëve qendrore, lindore dhe jugore të kontinentit, shkruan Severe Weather.
Një rënie e ndjeshme e temperaturave
Ndërsa blloku i Rex-it tërhiqet, po formohet një model i ashtuquajtur dipolar moti, një anticiklon i fortë mbi Atlantikun dhe Evropën Perëndimore, ndërsa një ciklon thellohet mbi pjesët lindore dhe veriore të kontinentit.
Kjo lejon depërtimin e ajrit të akullt nga veriu dhe verilindja, i cili do të sjellë temperatura dukshëm më të ulëta dhe reshje bore të rastit para Vitit të Ri.
Sipas modeleve të parashikimit, masa e ajrit të ftohtë mund të jetë 10-15 °C nën vlerat normale për fundin e dhjetorit dhe fillimin e janarit, gjë që do të rezultonte në një rënie të ndjeshme të temperaturave dhe ngrica në shumë rajone. Lëvizja më e ftohtë e ajrit të ftohtë pritet praktikisht në të gjithë Evropën qendrore dhe lindore, dhe në disa zona temperaturat e mëngjesit mund të bien nën -10 °C.
Ndërsa temperaturat bien, mund të pritet borë në zonat veriore dhe lindore të kontinentit, ndërsa në zonat perëndimore si Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda, ajri i ftohtë do të kontribuojë gjithashtu në formimin e kushteve me borë në ditët e para të vitit 2026.
Rrotullimi i temperaturës
Pas ndërhyrjes fillestare të masës së ftohtë, kushtet atmosferike mund të bëhen përsëri më dinamike. Pritet që në të njëjtën kohë me rrymat më të ftohta veriore, rrjedha e ajrit më e ngrohtë, jugore do të kthehet gradualisht, veçanërisht përgjatë Mesdheut.
Ky kombinim i masave të ndryshme ajrore mund të çojë në modele të papritura të motit – nga ditët e ftohta dhe me borë në rajonet veriore deri te kushtet më të theksuara më të ngrohta dhe më të lagështa drejt jugut dhe jugperëndimit të kontinentit.
Shkurt, ditët e para të vitit 2026 mund të shënojnë fillimin e vërtetë të sezonit të dimrit, me një valë të dallueshme të ftohtë dhe episode bore, por edhe me mundësinë e ndryshimeve më të shpejta të motit ndërsa modelet atmosferike vazhdojnë të zhvillohen.
Ngrohtësia dhe shirat e rrëmbyeshëm po kthehen në Ballkan
Ndërsa perëndimi i Evropës do të ngrijë, situata në zonën tonë do të përmbyset plotësisht. Do të vendoset një rrymë e qëndrueshme jugperëndimore, e cila do të sjellë ajër dukshëm më të ngrohtë dhe më të lagësht nga Mesdheu drejt Evropës qendrore dhe lindore dhe Gadishullit Ballkanik. Kontrasti i temperaturës në të gjithë Evropën do të jetë i madh.
Në Ballkan dhe Evropën Lindore, temperaturat mund të jenë deri në 15 °C më të larta se mesatarja, dhe vlerat ditore do të arrijnë lokalisht 15 °C. Sasia e lartë e lagështisë do të sjellë edhe reshje të dendura shiu, veçanërisht në shpatet jugore të Alpeve dhe shpatet perëndimore të Dinarideve dhe Apenineve, ku gjatë javës mund të bien midis 150 dhe 300 milimetra shi.
Albania
Krijohet kompania shtetërore e transportit/ Balluku emëron administrator këshilltarin e saj
Ministria e Infrastrukturës regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompaninë shtetërore, e cila do të ofrojë shërbime të transportit publik. Përmes krijimit të kësaj kompanie, qeveria vendos të hyjë direkt në një sektor të rëndësishëm, i cili deri më sot ka qenë ekskluzivisht domain i kompanive private.
E pagëzuar me emrin Mobal, kompania do të ketë si objekt operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike. Paralelisht kompania shtetërore do të ofrojë edhe transportin e nxënësve dhe mësuesve
Por, Mobal nuk do të funksionojë vetëm si ofruese shërbimi, por do të ketë edhe shumë më tepër kompetenca, përfshirë edhe organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, do të zhvillojë dhe menaxhojë sisteme digjitale dhe aplikacione për mbikëqyrjen dhe informimin në kohë reale mbi shërbimet e transportit.
Sipas dokumentave të depozituara në QKB administratori i kompanisë është emëruar Henri Telharaj, i cili deri më tani ka mbajtur postin e këshilltarit të Belinda Ballukut. Kompania do të ketë një kapital fillestar prej 10 milionë lekësh, i disbursuar nga fondet e buxhetit të shtetit, ndërkohë që mbetet ende e paqartë se cilat linja do të operojë ajo.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
