Carlo Ancelotti ka ngurruar ta pranojë se titulli në Laliga është punë e kryer për Real Madridin pas fitores 3:0 kundër Mallorcas të hënën, duke iu referuar një epërsie prej tri golave që e kishte çuar dëm në finalen e Ligës së Kampionëve si dëshmi që nuk duhet të kesh vetëbesim të tepruar.
Një gol nga Vinicius Junior dhe dy nga Karim Benzema i ndihmuan skuadrës së Ancelottit t’i fitojë tri pikë të lehta kundër skuadrës së sulmuesit kosovar Vedat Muriqi – i cili i lëshoi disa mundësi të mira shënimi – për ta krijuar një epërsi prej 10 pikëve ndaj rivalit Sevilla në krye të tabelës.
Kur kanë mbetur vetëm edhe 10 ndeshje deri në përfundim të këtij sezoni, nevojitet një dështim tejet i madh qe Real Madridi të mos e fitojë titullin sivjet.
Duke folur në konferencë për media pas ndeshjes të hënën vonë, Ancelotti paralajmëroi se lojtarët e tij nuk duhet ta cilësojnë veten si kampionë para kohe.
“Asgjë nuk ndryshon. Të dielën (kundër Barcelonës), duhet të fitojmë dhe ta shfrytëzojmë faktin se ekipi është shumë mirë fizikisht”, tha trajneri italian.
“E di si është ta humbësh një ndeshje të Ligës së Kampionëve kur je duke fituar 3:0. Ndodhi!”
62-vjeçari refuzoi të përfshihet në debat për paraqitjet e gjyqtarit, duke shtuar se i hoqi nga loja Federico Valverden dhe Casemiron në mënyrë që ata ta shmangnin ndëshkimin me kartonë dhe pezullimin në El Clasico si pasojë.
Ai shtoi: “Është e vërtetë se pati shumë kontakte, por gjyqtari i mori vendimet e drejta dhe sinqerta në një ndeshje shumë garuese dhe korrekte në fund. I hoqa Valverden dhe Casemiron nga loja për t’i shmangur kartonët”.
Ancelotti është ndër trajnerët e rrallë që e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve tri herë gjatë karrierës së tij.
Por ai ende nuk e harron përjetimin e rëndë që ia kishte shkaktuar Liverpooli në finalen e Ligës së Kampionëve, duke e mundur me penallti pavarësisht se Milani i tij e kishte një epërsi prej 3:0 pas pjesës së parë në Stamboll.