Britania e Madhe duhet të ketë një rol më aktiv në arsimin dhe mbështetjen e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, deklaroi Dr. Andi Hoxhaj, ligjërues i së drejtës dhe ekspert për Ballkanin në King’s College London, në një intervistë për BalkanView, përcjell KDP.
Hoxhaj theksoi se Procesi i Berlinit mbetet një instrument kyç për lidhjen e rajonit me Evropën, duke shtuar se Samiti i këtij viti në Londër konfirmoi rëndësinë e rolit britanik pas Brexit-it.
“Ne dëshironim që diskutimet rreth Samitit të mos kufizoheshin vetëm në agjendën zyrtare”, tha Hoxhaj, duke shpjeguar se King’s College London organizoi një sërë ngjarjesh anësore me pjesëmarrjen e shoqërisë civile, mediave, akademisë dhe sektorit privat. Këto ngjarje u zhvilluan në partneritet me dy nga institucionet më të vjetra dhe më të respektuara të politikave publike në Mbretërinë e Bashkuar – Chatham House dhe Royal United Services Institute (RUSI).
Sipas tij, këto bashkëpunime ndihmuan në ngritjen e disa temave që nuk ishin trajtuar plotësisht në agjendën zyrtare, sidomos arsimi dhe të drejtat e njeriut.
Hoxhaj tha se Samiti në Londër ishte veçanërisht i rëndësishëm për shkak të rolit të Britanisë si vend mikpritës dhe përcaktues i agjendës, në një periudhë kur qeveria laburiste e zgjedhur në vitin 2024 po kërkon të forcojë marrëdhëniet me Evropën. Një nga temat kryesore ishte siguria rajonale – veçanërisht mënyra se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të kalojnë nga “konsumues sigurie” në “ofrues sigurie” për Evropën, në kontekstin e agresionit rus dhe luftës hibride në disa vende evropiane.
Ai kujtoi se Procesi i Berlinit, i krijuar fillimisht si forum joformal për të mbështetur agjendën e integrimit evropian, është shndërruar në një samit vjetor që trajton tema më të gjera, si menaxhimi i migracionit dhe kundërvënia ndaj luftës hibride.
Për Hoxhajn, edhe pas Brexit-it, Britania e Madhe mbetet një partner i rëndësishëm për rajonin dhe e përdor këtë forum si një platformë vjetore për dialog mbi interesat e përbashkëta.
Sipas tij, deri në vitin 2030 disa vende të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi, mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. “BE-ja kërkon një histori pozitive që tregon forcën dhe zgjerimin e saj të vazhdueshëm”, tha ai, duke shtuar se konteksti aktual gjeopolitik paraqet “një mundësi të artë” për rajonin.
Hoxhaj theksoi se Procesi i Berlinit mbetet një kornizë e dobishme për adresimin e çështjeve dypalëshe dhe për ruajtjen e momentit reformues, por paralajmëroi se faktorët politikë shpesh ndikojnë më shumë se kriteret teknike në ritmin e negociatave të anëtarësimit.
Duke folur për lidhjet rajonale dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë, Hoxhaj tha se infrastruktura e rajonit mbetet e kufizuar. “Në disa raste është më e shpejtë të udhëtosh drejt një vendi anëtar të BE-së sesa drejt një vendi fqinj në Ballkan”, tha ai, duke theksuar se mungesa e investimeve është një pengesë serioze.
Për çështjet e sigurisë, ai shtoi se Ballkani Perëndimor është ende në fazat e hershme të integrimit. Rreth gjysma e vendeve janë anëtare të NATO-s, por për bashkëpunim më të thellë nevojitet ndërtimi i besimit të ndërsjellë dhe përmirësimi i infrastrukturës.
Sa i përket ndikimit të luftës në Ukrainë, Hoxhaj tha se ajo nuk e ka ulur vëmendjen e BE-së ndaj rajonit por përkundrazi, ka ndihmuar në përparimin e disa proceseve, përfshirë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjë dhe Hercegovinën.
Megjithatë, ai pranoi se nuk ka pasur përparim në dialogun Kosovë–Serbi për shkak të tensioneve politike dhe cikleve zgjedhore.
Hoxhaj theksoi se Britania po zhvillon një politikë të re ndaj Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në menaxhimin e migracionit, një çështje me ndjeshmëri të lartë në politikën e brendshme britanike.
Sipas tij, Procesi i Berlinit ka vlerë si forum politik dhe platformë për dialog që ka ndihmuar në afrimin e liderëve rajonalë. “Para këtij procesi, disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor nuk kishin pasur takime zyrtare për më shumë se shtatë dekada,” kujtoi ai.
Duke folur për Tregun e Përbashkët Rajonal, Hoxhaj e vlerësoi si nismë të vlefshme, por theksoi se mund të ngadalësojë procesin e integrimit të plotë në BE. “Është më efektive që vendet kandidate të bëhen pjesë e Tregut të Vetëm të BE-së sapo të nisin negociatat e anëtarësimit”, tha ai.
Në fushën e arsimit, Hoxhaj theksoi se Britania ka potencial për të kontribuar ndjeshëm, pasi është një fushë jo-kontroversiale krahasuar me sigurinë apo migracionin. Ai kujtoi se Britania planifikon të ribashkohet me programin Erasmus dhe Këshillin Evropian të Kërkimeve.
“Ka munguar nisma e vitit 2017 për krijimin e një Akademie Rajonale të Shkencës, një ide që Britania e kishte mbështetur, por që nuk u realizua kurrë. Është koha që ajo të rikthehet në qendër të agjendës”, shtoi Hoxhaj.
Ai tha se lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit nuk kanë marrë vëmendje të mjaftueshme në kuadër të Procesit të Berlinit, megjithëse forumi mund të shërbejë si hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira.
Duke parë nga e ardhmja, Hoxhaj vlerësoi se në pesë vitet e ardhshme disa vende të rajonit mund të anëtarësohen në BE, ndërsa Procesi i Berlinit mund të evoluojë në një format politik për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, i ngjashëm me modelin e vendeve nordike.
Në fund, ai dërgoi një mesazh për të rinjtë në rajon: “Të rinjtë kanë arsye të ndihen të pasigurt, por Bashkimi Evropian është më shumë se një qëllim – është një udhëtim drejt stabilitetit dhe prosperitetit. Udhëheqësit duhet t’i përfshijnë të rinjtë dhe t’u japin atyre zë në këtë proces.”
Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahet në Mal të Zi në vitin 2026, dhe sipas Hoxhajt, të rinjtë duhet të jenë në qendër të agjendës.




