Për vitin akademik 2020-2021 Universiteti Warwick i Britanisë së Madhe ka vlerësuar pedagogët për ekselencë në mësimdhënie me çmimet “Warwick Award for Teaching Excellence”, mes të cilëve edhe një shqiptar, Dr. Andi Hoxhaj është studiues dhe pedagog i së “Drejtës Evropiane dhe Politikave të BE”, në fakultetin e Drejtësisë, pranë Universiteti Warwick.
Universiteti i Warwick në komunikatën e tij shkruan se gjatë periudhës së pandemisë, arsimit të lartë iu desh të përshtatet shumë shpejt për të përmbushur sfidat e paparashikuara dhe shpesh të panjohura për të dhënë mësim. Më tej Universiteti Warwick shkruan se viti i Covid-19 bëri të nëvojshme qasje të ndryshme për arsimin e lartë dhe kërkoi metoda të reja të mësimdhënies për të përmbushur sfidat e arsimit në formë hibride përgjatë pandemisë. Por, kjo do të ishte e pamundur pa stafin ekselentë të pedagogëve dhe prandaj këtë vit ata menduan të shprehin mirënjohjen e tyre me çmimin “Warwick për Mësimdhënie Ekselente’, atyre pedagogëve të cilët bënë diferencën në jetën dhe përvojën e studentëve me praktikat e tyre mësimore dhe në mbështetjen e zhvillimit të tyre akademik në një vit të vështirë.
Universiteti i Warwick është shprehur se mënyra sesi pedagogët kanë mbështetur mësimdhënien gjatë pandemisë globale, do të sjellë një qasje të re në të ardhmen e mësimdhënies në arsimin e lartë.
Dr. Andi Hoxhaj është shprehur se “ ndihet i nderuar për vlerësimin me çmimin “Warwick, për Mësimdhënie Ekselente” , si dhe ndihet i përulur nga ky vlerësim.
Hoxhaj është shprehur se,: “Ky vit na ka mësuar se është thelbësore që ne të krijojmë ura komunikimi të shëndetshme për të punuar sa më ngushtë me studentët dhe kolegët tanë, për të krijuar një mjedis të sigurt, ku studentët të jenë në gjendje të ndajnë sfidat e tyre me pedagogët.
Ata të jenë të sigurt se ne si edukatorët e tyre, i dëgjojmë shqetësimet dhe jemi plotësisht të përkushtuar në mbështetje të zhvillimit të tyre akademik. Veçanërisht gjatë pandemisë, por jo vetëm, studentët duhen dëgjuar dhe duhet ta ndjejnë që ne jemi në krah të tyre. Gjithashtu ne si mësues, nuk duhet ta shuajmë asnjëherë kuriozitetin për t’u përmirësuar në metodat tona të mësimdhënies, si dhe të jemi gjithnjë të hapur për t’u përshtatur me nevojat dhe sfidat që kanë studentët tanë. Në fund të fundit, suksesi i studentëve tanë është sukesi ynë.”
Dr. Andi Hoxhaj ka përfunduar me sukses doktoraturën në mars të vitit 2017 dhe është autor i librit “Politikat e BE për luftën kundër korrupsionit”, publikuar në gjuhën angleze në 2020, si dhe autor i disa botimeve shkencore në fushën e jurispudencës, integrimit të BE, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. Dr. Hoxhaj është shqiptari i parë, i nderuar nga Akademia e Shkencave Britanike me çmimin prestigjoz “British Academy Rising Star Engagement Award” në vitin 2018 për kontributin e dhënë në studimet kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, me fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor, Evropë dhe Britaninë e Madhe.