Përfaqësueses së Kosovës në futboll do t’i shtohet edhe një futbollist i talentuar. Bëhet fjalë për futbollistin 20-vjeçar, Andi Zeqiri.
Futbollisti i Lausannes, që garon në Kategorinë e Dytë të Zvicrës ka pranuar ta përfaqësojë në të ardhmen Kosovën, kanë bërë të ditur burime të afërta me futbollistin. Se i ka thënë “Po” Kosovës e thonë në kushte anonimiteti edhe zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka qenë i pranishëm në ndeshjen e së dielës që ekipi i Zeqirit, Lausanne, e humbi nga Baseli me rezultatin 3:2, në kuadër të Kupës së Zvicrës.
Paraqitja e Zeqirit para syve të Challandesit dhe përzgjedhësit të Zvicrës, Vladimir Petkoviq, u vlerësua goxha e mirë. Ai shënoi gol me kokë, qëlloi traversën, derisa luajti 96 minuta.
“Andi e ka ndarë mendjen për ta përfaqësuar Kosovën, vetëm ka mbetur çështja e dokumentacionit, sepse ai ka luajtur për ekipin U-21 të Zvicrës dhe i duhet lëshimi i dokumentacionit për ta dërguar më pas lëndën në FIFA. Andi e ka pasur një kontratë të shkruar me Federatën e Zvicrës që brenda 5 vjetësh të mos lëviz nga Zvicra. Por, nuk është problem i madh. Andi dëshiron të luajë për Kosovën. Babai i tij e kishte të caktuar të hënën të udhëtojë drejtë Kosovës për t’u takuar me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Por, për shkak se nuk janë liruar ende linjat ajrore, ky takim është shtyrë”, ka thënë një i afërm i futbollistit në kushte anonimiteti.
Po i njëjti burim ka thënë se udhëtimi i babait të tij drejtë Kosovës do të ndodhë menjëherë posa të lirohen linjat ajrore.
Në fakt, familjarët e Zeqirit kanë pasur një takim në Zvicër me kryetarin e FFK-së, Ademi. Edhe në mediumet e Zvicrës ka pasur raportime se Kosova mund t’ia marrë futbollistin Zvicrës.
Në rast se shpejtë kryhet dokumentacioni, Zeqiri pritet të marrë ftesën e përzgjedhësit të Kosovës, zviceranit Bernard Challandes, për ndeshjen që Kosova në tetor e luan ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup, në kuadër të gjysmëfinales së plejofit të Ligës së Kombeve.
Zeqiri 20-vjeçar këtë edicion në 26 paraqitje në “Challange League” dhe Kupë të Zvicrës ka shënuar 17 gola dhe ka kontribuuar me pesë asistime.
I suksesshëm është treguar edhe për Shpresat e Zvicrës ku në shtatë ndeshje që nga viti 2018 ka shënuar gjashtë gola. Ai ka luajtur edhe në grupmoshat tjera të shtetit helvetik.
Zeqiri ka edhe paraqitje në Superligën e Zvicrës ku ka shënuar dy ndeshje në 19 ndeshje. Ka luajtur edhe për të rinjtë e Juventusit, duke shënuar katër gola dhe dy asistime në 19 paraqitje.
Për Zeqirin kanë shprehur disa skuadra më të mëdha në Zvicër, përfshirë edhe Baselin, derisa interesim nga Franca ka shprehur St. Etienne, Nice dhe Lens. Por, ka interesim edhe nga Bundesliga e Gjermanisë dhe La Liga e Spanjës.