Gazetari dhe analisti Ben Andoni ka deklaruar në emisionin “3D” në RTSH1 se ka pasur një dorë në Komitetin Qendror që ka vendosur për ndryshimet politike në Dhjetor ’90.
Sipas Andonit, studentët nuk ishin të organizuar në mënyrën e duhur dhe por kjo vinte edhe për shkak të hijes së pushtetit komunist që rëndonte në ato vite.
“Dua të them diçka për pjesën e narracionit përballë Ramiz Alisë. Ti e shikon në çdo lëvizje shqiptare, prandaj unë mendoj se lëvizja e studentëve ka një karakter historik të cilin mund ta krahasosh me të gjitha lëvizjet e mëdha tek ne.
Të gjitha lëvizjet e mëdha tek ne nuk kanë pasur formësim mendimi të qartë. T’ju them një element; në takimin me studentët ka pasur një monolog të stërzgjatur të Ramiz Alisë ku shpjegon që “bëmë Plenumin, kemi liruar disa nga anëtarët e Byrosë politike, kemi menduar që në zgjedhje të futen organizata dhe përballja e delegacionit të studentëve, dhe për këtë nuk mund të kenë faj, nuk kishte ndonjë organizim të përkryer.
Pyetjet kanë qenë të tilla, psh, z. Imami e ka pyetur: Pse po e bëni tani pluralizmin. “Ç’do të thotë kjo”, e ka pyetur Demeti. Pra, artikulime të qarta nga ana e studentëve nuk ka pasur, ka pasur një lloj tulatje. Aty ishte hija e rëndë e pushtetit dhe e forcës. E treta ishte që mund të bësh lëvizje po ku shkon?”, u shpreh Andoni.
Më tej ai theksoi se duket se ka pasur një dorë që ka vendosur për rrjedhën e ngjarjeve.
Duke iu referuar një prej ideologëve të Partisë Socialiste, Andoni tha se ai i ka bërë të ditur në një intervistë se “jam në gjendje që t’ju them se ku janë formuar partitë e para; janë formuar në katin e tretë, në godiën e Komitetit Qendror, ka qenë zyra filan. Ishte diçka e kontrolluar. Elementi kryesor që nuk duhet ta shmangim ka qenë qyteti i Tiranës. Lëvizja ka qenë shumë interesante por me shumë dritëhije të mëdha”.
“Në mendimin tim në ato intervista që kam bërë 30 vitet e fundit, duket që një dorë ka vendosur për shumë gjëra. Duket që njerëzit e Komitetit Qendror kishin kohë që e mendonin ndryshimin.
Për shembull në një intervistë po e teproj që po e citoj, një nga ideologët e Partisë Socialiste personalisht më ka thënë; Jam në gjendje që t’ju them se ku janë formuar partitë e para; janë formuar në katin e tretë, në godinën e Komitetit Qendror, ka qenë zyra filan.
Ishte diçka e kontrolluar. Elementi kryesor që nuk duhet ta shmangim ka qenë qyteti i Tiranës. Lëvizja ka qenë shumë interesante por me shumë dritëhije të mëdha”, theksoi Andoni në ‘3D’.




