Një djalë i turpshëm nga fshati që nuk kishte guximin të largohej nga shtrati i prindërve, Andres Iniesta, nuk ta jepte përshtypjen në shikim të parë se do të bëhet një nga futbollistët më të mirë të gjitha kohërave. Mirëpo, kushto që e shihte atë duke luajtur nuk kishte më dyshime.
Iniesta, që feston ditëlindjen e 36-të sot, ka bërë magjinë e tij te Barcelona për 16 vjet dhe ishte një nga arkitektët në epokën më madhështore të klubit, duke luajtur rol vendimtar ndërsa me Barçën fitoi 32 trofe, përfshirë nëntë herë La Ligan dhe katër herë Ligën e Kampionëve.
“Ky djalosh do të na pensionoj të gjithëve”, kishte thënë Pep Guardiola kur së pari e pa tinejxherin në aksionin, ndërsa seleksionuesi i Spanjës, Luis Enrique, e kishte përshkruar mesfushorin si “Harry Potter, që po bën magji me shkopin e tij”.
Iniesta tregoi madhështinë e tij edhe me Spanjën dhe ndihmoi përfaqësuesen të fitonte titullin e botës në vitin 2010, duke e shënuar golin e fitores në shtesa në finalen kundër Holandës.
Goli i tij në stadiumin “Soccer City” në Johannesburg ka bërë që Iniesta të adhurohet nga gjithë spanjollët, pavarësisht klubeve që përkrahin ata, duke i siguruar atij ovacione në gjitha stadiumet ku luante jashtë me Barcelonën. Madje edhe në stadiume të rivalëve të përbetuar si Real Madridit e Espanyolit.
Mirëpo, mënyra më prekëse, ishte mënyra se si festoi golin më të vlefshëm të karrierës së tij, atë në finale të Botërorit. Ai e hoqi fanellën, duke përkujtuar me një mesazh futbollistin e ndjerë Dani Jarque, që kishte vdekur një vit më herët.
Vdekja e befasishme e Jarques dhe një seri e lëndimeve e kishte futur Iniestan në një fazë depresioni, madje gjërat kishin shkuar aq keq sa kishte kërkuar të flinte në shtratin e prindërve, siç kishte bërë si dhjetëvjeçar kur kthehem në shtëpi nga akademia e Barcelonës.
Ai mposhti “demonët” me ndihmën e një psikologu dhe përkrahjen e trajnerit Pep Guardiola. Guardiola kurrë nuk e ka harruar se si Iniesta e kishte mbështetur pas një fillimi jo të mirë në stinorin e parë të Guardiolas si kryetrajner i Barçës.
Por, në atë edicion Barcelona e fitoi Ligën e Kampionëve, fal një goli të Iniestas të shënuar në fund të ndeshjes gjysmëfinale kundër Chelseat, duke rritur numrin e lindjeve për 50 për qind në Barcelonë, nëntë muaj pas atij goli.
Javën e kaluar, ai nderoi përvjetorin e atij goli duke telefonuar disa nga fëmijët që kanë lindur nëntë muaj pas atij goli.
“Iniesta është i dashuri ideal që një nënë do ta donte për vajzën e vet”, kishte thënë ish-bashkëlojtari i Iniestas te Spanja, mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos.
Iniesta përfundoi periudhën e tij të shkëlqyer te Spanja e Barcelona në vitin 2018, për të vazhduar karrierën në Vissel Kobe të Japonisë, ku ende luan.
“Unë dua të ndajë përvojën time me të rinjtë. Mendoj se është edhe përgjegjësia ime dhe është pjesë e madhe e arsyes pse erdha këtu. Më pëlqen të flas me ta, të ndajë përvojën me ta dhe po ashtu më pëlqen ajo ndjenjë se të rinjtë mund të më bëjnë pyetje dhe të mësojnë gjëra nga unë”, ka thënë Iniesta.
Gjëja e vretme që i mungon në listën e sukseseve të Iniestas është “Topi i Artë”, dhe kur ai njoftoi se do të largohet nga Barcelona, revista “France Football”, ndjeu një lloj faji që ylli spanjoll kurrë nuk është shpërblyer me çmimin e futbollistit më të mirë në botë.
“Na fal, Andres. Nga gjithë mungesat në listën e fituesve të ‘Topit të Artë’, mungesa e tij është më e dhimbshmja”, kishte shkruar “France Football” në një editorial.