Boksieri dhe influenceri i njohur Andrew Tate, i cili vetëm disa kohë më parë arriti t’i thotë “lamtumirë” qelisë pas akuzave për përdhunim, duke se ka arritur të rrëmbejë sërish vëmendjen e mediave rozë, teksa këtë herë ka shprehur gatishmërinë e tij për t’i ofruar ndihmë Elon Musk, në betejën e tij të ardhshme mes miliarderëve kundër Mark Zuckerberg.
Tate, i cili ka fituar dy tituj kampion në kikboksin e peshës së lehtë në vitet para se të akuzohej për drejtimin e një biznesi trafikimi seksual, me sa duket i ofroi gjithë potencialin e tij Musk, si një mundësi për t’u hakmarrë kështu ndaj themeluesit të Facebook.
“Meta më ndaloi kudo për të thënë të vërtetën për vaksinat. Por tani ne mund të rikthejmë nderin me një goditje ndaj liderit të klanit armik. Unë do t’ju stërvit @elonmusk. Ju nuk do të humbni.”, shkroi Tate në Twitter.
Tate, një ndikues i mediave sociale që flet hapur për pikëpamjet e tij të vetë-përshkruara mizogjene, u hoq nga platformat e Meta në gusht për shkak të shkeljeve të politikave të këtij rrjeti social ndaj organizatave dhe individëve të rrezikshëm.
CEO i Twitter sfidoi Zuckerberg, i cili kohët e fundit fitoi turneun e tij të parë amator brazilian jiu-jitsu, në një “ndeshje në kafaz” pasi Instagrami në pronësi të Meta raportoi planet për të ndërtuar një platformë të mediave sociale të bazuar në tekst për të rivalizuar Twitter.
Zuckerberg shkoi në platformën e tij në Instagram për të pranuar sfidën e Musk, duke u përgjigjur: “Më dërgo vendndodhjen”.
Edhe pse Tate e ka bërë ofertën e tij, deri më sot, Musk nuk ia ka kthyer ende asnjë përgjigje propozimit të tij. Kujtojmë se, britaniku me origjinë amerikane ka qenë në “arrest shtëpiak” që nga 31 marsi, kur ai dhe vëllai i tij, Tristan Tate, u liruan nga një burg në Bukuresht pas tre muajsh në qeli.
Ata të dy janë nën një hetim penal për akuzat se kanë kryer abuzim ndaj shtatë grave. Çdo vëlla përballet me akuza për trafikim njerëzor, përdhunim dhe formim të një bande kriminale për të shfrytëzuar seksualisht gratë.
Prokurorët pretendojnë se vëllezërit rekrutuan viktimat e tyre duke i joshur dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se dëshironin një lidhje ose martesë, përpara se t’i detyronin të krijonin përmbajtje pornografike nga e cila më pas “Tates” përfituan.