Anglia po mbështetet nga pritjet në rritje të tifozëve të saj, derisa Danimarka në qëndrueshmëri dhe rimëkëmbje.
Dhe emocionet do të jenë të mëdha në stadiumin “Wembley” para se ndeshja e tyre gjysmëfinale e Kampionatit Evropian të fillojë të mërkurën mbrëma, kur do të ketë një moment për të kujtuar incidentin më shqetësues të turneut dhe lojtarin që nuk do të luajë për Danimarkën. Skuadra e Anglisë ka nënshkruar një fanellë me numrin dhjetë të stampuar me emrin Christian Eriksen, që do t’i dorëzohet kapitenit të Danimarkës, Simon Kjaer, nga homologu i tij i Anglisë, Harry Kane.
Lojtarët e Anglisë ishin në një autobus që udhëtonte për në Londër nga baza e tyre stërvitore për t’u përgatitur për ndeshjen e tyre hapëse të “Euro 2020” më 12 qershor, kur Eriksen kolapsoi në fushë derisa luante kundër Finlandës. Ai u ringjall me defibrilator.
“Ne e pamë atë skenë në ekran”, tha mbrojtësi i Anglisë, Kieran Trippier, një ish-shok i Eriksenit te skuadra e Tottenhamit. “Kam qenë shumë i afërt me Christianin dhe gjëja më e rëndësishme është edhe se ai po e merr veten”.
Ajo që vlerësohet më e jashtëzakonshme është se ndërsa Erikseni po rikuperohet pas sulmit kardiak, Danimarka ka arritur në gjysmëfinale të këtij turneu për herë të parë qëkur e fitoi papritmas Kampionatin Evropian në vitin 1992.
“Këto katër javë të fundit kanë qenë të mbushura me emocione të përziera. Ne jemi përballur me vdekjen në një mënyrë që kurrë nuk kam shpresuar se duhet të përballemi”, pranoi përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand.
Pasi i humbi dy ndeshjet e para – përfshirë ndeshjen me Finlandën që rifilloi atë natë – Danimarka dukej në prag të eliminimit. Por danezët u mësuan me ndryshimin e formacionit nga 4-2-3-1 në 3-4-3 për ta mposhtur Rusinë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, përpara se të eliminonin edhe Uellsin dhe Çekinë në 1/8 e finales, përkatësisht në çerekfinale të “Euro 2020”.
Kasper Dolberg ka shënuar tre gola, Pierre-Emile Hojbjerg ka qenë i shkëlqyeshëm në mesfushë dhe portieri Kasper Schmeichel ka siguruar garanci në portë në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm deri në gjysmëfinale. Rreziku më i madh për Schmeichelin do të jetë sulmuesi i Anglisë, Kane, që ka shënuar tre gola në dy ndeshjet e fundit të Evropianit. Në fakt Kane e kishte mposhtur Schmeichelin në xhiron e fundit të sezonit 2020/21 të Premier Leagues, në fitoren e Tottenhamit 4:2 ndaj Leicesterit. Me këtë gol, Kane ishte konfirmuar për herën e tretë golashënuesi më i mirë i kampionatit anglez.
“A ka qenë ndonjëherë në shtëpi (titulli v.j)? Nuk e di. A keni fituar ndonjëherë? Në vitin 1966, por a nuk ishte Kampionati Botëror?”, bëri shaka portieri i Danimarkës, Schmeicheli në konferencën për shtyp me këngën e famshme të anglezëve “It’s coming home” (Po vjen në shtëpi).
“Është e natyrshme që pritjet janë të mëdha tek Anglia, që ka një ekip të mbushur me yje. Por ata na respektojnë neve për shkak se e kanë parasysh që nuk dorëzohemi deri në fund”.
Ndërkohë, Hojberg foli për rrugëtimin e Danimarkës deri në gjysmëfinale.
“Me gjithçka që kemi kaluar nga ndeshja e parë deri ku jemi tani, është mjaft e jashtëzakonshme”, tha mesfushori i Hojberg. “Na u desh ta pickonim njëri-tjetrin në krah për të kuptuar se çfarë kemi arritur”.
Kjo, në njëfarë mase, ishte rast në skuadrën e Anglisë në Botërorin “Rusia 2018” kur arriti në gjysmëfinale, pavarësisht se pak pritej prej një ekipi nën urdhrat e përzgjedhësit Gareth Southgate.
Tani që anglezët janë kthyer në një gjysmëfinale tjetër – pasi kanë humbur edhe në gjysmëfinalen inauguruese të Ligës së Kombeve – është krijuar një ndjenjë që Anglia është gati për ta fituar këtë trofe, i cili do të ishte i pari prej vitit 1966. Në fakt, prej atij viti kur triumfoi në Botëror, Anglia nuk ka arritur as në finale të një turneu të madh dhe tani ka rast ideal për ta bërë një gjë të tillë.
“Çmimi është ai që ne nuk e kemi shijuar kurrë. Danimarka e ka fituar një Evropian, kështu që ka bilanc më të mirë se ne dhe mendoj se tifozët tanë po e harrojnë këtë. Ne kurrë nuk kemi qenë në finale që nga viti 1966, kështu që kemi një mundësi të shkëlqyer të shkruajmë historinë”, ka pranuar përzgjedhësi i Anglisë, Southgate, të martën. “Danimarka është një ekip shumë i mirë. Ne u përballem me danezët dy herë në vjeshtë dhe unë mendoj se ata tani janë më të mirë sesa që ishin atëherë”.
Në nëntë ndeshje të luajtura në “Wembley” kundër Anglisë, Danimarka ka tri fitore karshi gjashtë humbjeve. Ndeshjen e fundit, të luajtur në tetor të vitit të shkuar në Ligën e Kombeve, Danimarka e fitoi me rezultatin 1:0.
Themeli i përparimit të Anglisë në “Euro 2020” ka qenë mbrojtja e pathyeshme, e cila nuk ka pësuar gol në pesë ndeshje të luajtura deri më tani. Në fakt, Anglia vetëm një ndeshje të Evropianit e ka luajtur larg Londrës, çerekfinalen ndaj Ukrainës në Romë. Në duelin mes Anglisë dhe Danimarkës, që do të nisë në orën 21:00, në tribuna do të jenë të pranishëm 60 mijë tifozë, 20 mijë më shumë se në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Gjermanisë, të cilën anglezët e fituan me rezultatin 2:0.
“Do të jetë diçka fantastike për ne që të kemi një përkrahje të madhe, e cila do të na japë energji për ta kërkuar kalimin në finale. Në fund, ndeshja do të vendoset në fushë nga ekipi që luan më mirë, mbrohet më mirë dhe sulmon më mirë”, shtoi Southgate.

