Tek Anglia po ëndërrojnë për sukses në “Euro 2020”, pasi eliminuan Gjermaninë në 1/8 e finales dhe në çerekfinale llogaritet favorite përballë Ukrainës që tejkaloi Suedinë. Fitorja 2:0 ndaj Gjermanisë ka rritur dukshëm shpresat e anglezëve për triumf dhe këtë e ka pranuar edhe përzgjedhësi Gareth Southgate. Madje, Southgate ka urdhëruar ekipin e tij që ta shfrytëzojë rastin për ta fituar titullin e Evropës, i cili do të ishte trofeu i parë i madh i Anglisë pas atij të Kupës së Botës në vitin 1966.
“Në fakt, nuk kisha nevojë t’ua thosha këtë lojtarëve, por kur u futëm në zhveshtore filluam të flasim për ndeshjen me Ukrainën. Dhe aty u thashë lojtarëve se duhet ta shfrytëzojmë rastin për të pasur sukses në këtë Evropian. E kemi parasysh se na pret një sfidë e madhe prej këtu e tutje, por mendoj se këtë e dinë edhe lojtarët të cilët janë të gatshëm për ta dëshmuar veten se mund t’ia dalin mbanë”, u shpreh Southgate. “Fitorja e fundit e ka krijuar ndjenjën në të gjithë vendin se mund ta fitojmë këtë turne. Mirëpo, duhet të sigurohemi se do të luajmë sikurse ndaj Gjermanisë edhe në ndeshjet e tjera”.
Në fakt, rruga e Anglisë për të arritur deri në finale është shumë më e favorshme. Të shtunën, anglezët do të përballen me Ukrainën në çerekfinalen që do të luhet në Romë. Dhe, nëse Anglia e tejkalon këtë pengesë, atëherë në gjysmëfinale e pret fituesin e çerekfinales tjetër, që do të luhet mes Danimarkës dhe Çekisë. Kjo gjysmëfinale do të luhet në stadiumin “Wembley” në Londër.
“Është emocion i veçantë të luash me atmosferën që e krijojnë tifozët tanë, pasi na japin edhe më shumë energji”, pranoi Southgate.
Me finalen që gjithashtu do të luhet në Londër, Anglia e ka rastin jetësor për ta fituar një turne të madh pas 55 vjetësh pritje. I njëjti optimizëm tek Anglia ishte edhe në Botërorin e vitit 2018, kur e eliminoi Suedinë në çerekfinale përpara se të eliminohej nga Kroacia në ndeshjen gjysmëfinale.
Mirëpo, Southgate është i bindur se përvoja e dhimbshme në Rusi para tre vjetësh ka qenë një mësim i vlefshëm për Anglinë.
“Ne kemi qenë në këtë fazë edhe në Rusi dhe e kemi parasysh se do të jetë shumë vështirë. Për këtë arsye kam kërkuar nga futbollistët që të qëndrojnë me këmbë në tokë. Megjithatë, ata duhet të ndihen të sigurt pas paraqitjeve të mira që i kemi pasur, ku në katër ndeshje nuk kemi pësuar asnjë gol”, shtoi Southgate. “Sigurisht, ne jemi futur në këtë turne me një qëllim dhe duam ta realizojmë, por ende nuk jemi afër”.
E nëse Anglia triumfon në “Euro 2020” atëherë do të jetë mbrojtja e saj e organizuar mirë që do ta sigurojë këtë sukses. Anglia është vetëm ekipi i dytë në historinë e Kampionatit Evropian që nuk ka pësuar gol në katër ndeshjet e para të këtij turneu. Një rekord të tillë e pati arriti Gjermania në Evropianin e vitit 2016.
“Unë e di shumë mirë se cili është synimi që e kemi caktuar së bashku me lojtarët. Këta lojtarë tashmë e kanë shkruar historinë me fitoren ndaj Gjermaninë dhe e kanë rastin për ta shkruar përsëri. Ne kemi qenë vetëm një herë në gjysmëfinale të Evropianit dhe tani mund të bëjmë diçka të veçantë”, insistoi Southgate.
Optimizmin e tij për sukses në “Euro 2020” e ka shprehur edhe kapiteni i Anglisë, sulmuesi Harry Kane. Ai shënoi njërin prej golave në fitoren kundër Gjermanisë, i cili ishte i pari për të në këtë turne. Golin tjetër për anglezët e realizoi Raheem Sterling, që deri më tani ka shënuar tri herë në katër ndeshje të luajtura. Kështu që, Kane ka insistuar se pas fitores ndaj Gjermanisë rivalët e tjerë të mbetur në “Euro 2020” do t’i frikësohen Anglisë, pasi e konsiderojnë si kundërshtare të rrezikshme.
“Çdo skuadër tash e tutje do të na shikojë me frikë dhe do ta ketë parasysh se jemi të rrezikshëm”, insistoi Kane. “Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të jemi në rrugë të mbarë për ta arritur synimin tonë. Ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi në çerekfinale, pasi duam të luajmë para tifozëve tanë në gjysmëfinale dhe finale të Evropianit”.
Në të vërtetë, tek Anglia kanë arsye të fortë për ta synuar titullin e kampionit në “Euro 2020”. Kjo për faktin se ndeshjet e gjysmëfinales dhe finalja do të luhen në praninë e 60 mijë shikuesve në stadiumin “Wembley”, pasi Qeveria britanike ka liruar masat anti-COVID.
“Do të ishte diçka madhështore të triumfojmë para stadiumit të stërmbushur me tifozët tanë. Kjo nuk është vetëm ëndrra jonë, por e të gjithë tifozëve të Anglisë”, pranoi Kane.