Një grup prej 49 emigrantësh janë gati për të mbërritur nga brigjet italiane në qendrën e pritjes në Shëngjin.
Sot anija Cassiopea u nis nga Lampedusa e Siçilisë për të sjellë në Shqipëri 49 emigrantë që zbarkuan në Itali ditët e fundit.
Ky është operacioni i tretë i këtij lloji që nga hapja e qendrës së pritjes dhe kampit në Shqipëri, ndërsa vjen pas rreth dy muajsh stopim nga operacioni i fundit.
Mediat italiane raportojnë se 53 emigrantë të tjerë kanë dorëzuar pasaportat në mënyrë që të shmangnin transferimin në Shqipëri.
La Repubblica thotë se emigrantët janë rrugës për në Shqipëri dhe se ky është grupi më i madh që pritet të zbarkojë në vendin tonë.
Emigrantët vijnë nga Egjipti dhe Bangladeshi.
Ndërkohë në tetor erdhën 16 emigrantë, ndërsa në nëntor 8, por të gjithë u rikthyen sërish në Itali, pas vendimit të gjykatës së Romës.
Shtetasit e huaj që do të mbërrijnë në Shqipëri, do të nisin procedurat e pritjes, ndalimit dhe vlerësimit për secilin rast.
Rinisja e operacionit në Shqipëri vjen pas rreth dy muajsh ndërprerje.
Transferimi i emigrantëve në qendrat e pritjes në Shëngjin dhe Gjadër, për të cilin kryeministrja Meloni ka thënë disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë, i është besuar anijes patrulluese të Marinës Cassiopea, e cila tashmë monitoron detin në brigjet e Lampedusa.
Në dhjetor, Gjykata e Kasacionit vendosi se përcaktimi i vendeve të sigurta “është përgjegjësi vetëm qeverisë italiane”.