Këshilli Investimeve në Shqipëri, një organizëm këshillues ku ulet ministria e Ekonomisë dhe Financave bashkë me drejtuesit e shoqatave të bizneseve ka prodhuar një anketë të titulluar “Covid-19 mbi bizneset” ku vlerësohet impakti pandemisë në biznesin shqiptarë.
Top Channel ka siguruar një kopje të kësaj ankete, nga ku 46% e të anketuarve janë biznese me të ardhura vjetore mbi 14 milion lekë ndërsa 82% e të anketuarve janë nga sektori i shërbimeve. Të pyetur se “si e vlerësoni ndikimin e Covid 19 në aktivitetin tuaj”, të ankektuarit kanë prodhuar këto të dhëna.
“73 % e të anketuarve janë shprehur se situata me Covid-19 do të ketë një ndikim shumë negativ në aktivitetin e tyre. 26 % thonë se ndikimi do të jetë negativ dhe vetëm 1% beson se nuk do të ketë ndikim. Ndërsa 69% e biznesit ekspertues mendojnë se impakti do të jetë shumë negativ“.
Anketa përcjell të dhëna shqetësuese pësa i përket mbylljes së bizneseve.
“49,9 përqind e të anketuarve pohojnë se e kanë mbyllur totalisht biznesin. 42.5 përqind pjesërisht dhe vetëm 7.6 përqind nuk e kanë mbyllur ende. Nga bizneset e mbyllura 90 përqind i përket sektorit të shërbimeve”.
Këshilli Investimeve në Shqipëri përmes kësaj ankete ka zbuluar këto të dhëna përsa i përket xhiros së bizneseve.
“83 përqind e bizneseve të anketuara presin ulje të të ardhurave vjetore më shumë se 20 përqind dhe vetëm 2 përqind e tyre mendojnë se Covid-19 nuk do të ndikojë tek të ardhurat vjetore”
Të anketuarit janë pyetur edhe për masat që do të ndërmarrin për vijimin e biznesit të tyre.
“38 % e bizneseve thonë se do të përdorin të ardhurat nga periudha e mëparshme, 31 % duke ulur kostot, larguar punonjësit dhe ulje të prodhimit. 20 % do të marrin kredi bankare. Sektori i bujqësisë 43 % mendon të përdorë kredi bankare, industria 40 % mendojnë po ashtu për kredi bankare, ndërtimi 53% dhe shërbimet 40% do të ulin kostot”.
Një e dhënë interesante në këtë anketë lidhet edhe me kohëzgjatjen e efekteve negative të Covid-19 në biznesin shqiptar.
“37 % e bizneseve të anketuar mendojnë se efektet e Covid-19 në aktivitetin e tyre do të zgjasin deri në 1 vit dhe vetëm 3 % mendojnë se ato do të zgjasin më shumë se dy vjet”.
Por si janë pritur nga biznesi dy paketat e ndihmës ekonomike, vënë në dispozicion të biznesit nga qeveria dhe impakti pozitiv që do të sjellin?
“19% e të anketuarve mendojnë se këto masa do të ndikojnë pozitivisht në biznesin e vogël. 18% vlerësojnë ndihmën për të vet-punësuarit, 17 % e shohin pozitivisht shtyrjen e afatit të kësteve të kredive. 14% vlerësojnë po ashtu garancinë sovrane për kompanitë që kanë vështirësi për të paguar pagat”.