Kuvendi mban sot seancën e fundit për këtë sesion parlamentar dhe pritet që të miratojë projektligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë në atdhe për 5 vjet pas studimeve.
Në pritje të votimit nga deputetët, studentët e Fakultetit të Mjekësisë po zhvillojnë një protestë në hyrje të Parlamentit, duke shprehur kundërshtinë për këtë nismë ligjore, që ishte paralajmëruar prej mëse një viti nga mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama.
Studentët kanë kërkuar njëzëri dorëheqjen e ministres së Arsimit, Evis Kushi, pasi në deklaratën që pasoi mbledhjen e qeverisë ditën e djeshme ajo konfirmoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ligji për punën e detyrueshme.
“E duam mjekësinë si gjithë Europa”, “I duam kushtet si e gjithë Europa”, “Anuloni projektligjin, zero kompromis”, ishin disa prej thirrjeve të studentëve.
Një prej zërave të protestës tha se kërkojnë që një përfaqësi e tyre të hyjë në Parlament dhe të mbrojnë me argumente përballë ligjvënësve kërkesën e tyre për rrëzimin e projektligjit.
“Kemi ngelur i vetmi vend në Ballkan dhe Europë që kërkon të burgosi rininë, kërkon të burgosi studentët. Studentët janë të vendosur dhe përcjellin shqetësimin e tyre përmes ankesave dhe në Komisione, ku jemi pranuar në vetëm dy prej tyre se të tjerët na kanë mbyllur derën në fytyrë. S’po na lejojnë as të protestojmë’, u shpreh përfaqësuesja e studentëve.
Ndërkohë, sipas gazetarit të A2 CNN, Armend Pire pritet që një pjesë e mirë e studentëve, pas diskutimeve që do bëjnë me njëri-tjetrin, do të vendosin për një bojkot të mundshëm dhe vijueshmëri protestash në nisje të vitit të ri akademik.
Këtë e konfirmoi edhe një prej studenteve që iu drejtua protestuesve duke thënë se çështja e tyre do të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi nja një muaj që protestojmë dhe na kanë shteruar energjitë, por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi sot. Jua kemi thënë dhe në komision, edhe në intervista, edhe në protesta, edhe në statuse, edhe në forumin e mjekëve që ne do e çojmë në Gjykatë Kushtetuese. Jua kemi thënë dhe këtë tjetrën, po ato firma, kur të dorëzohen do kuptohet se gjithë ata studentë do të bojkotojnë vitin akademik”, tha një studente në protestë.