Ministria e Jashtme greke e ka konsideruar vendim jo në përputhje me dispozitat e shtetit ligjor, vendimin e Apelit të GJKKO për të lënë në burg Fredi Belerin, pas kërkesës së këtij të fundit për lehtësim të masës së sigurisë.
Ministria e Jashtme greke shkruan se Beleri po pengohet të marrë detyrën e tij si kryetar i Bashkisë Himarë, ku shton se është i vetmi që mbahet në burg për krime elektorale nga 31 ankesa që janë paraqitur në prokurori
“Refuzimi i sotëm i ankesës së kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, kundër vazhdimit të paraburgimit të tij, nuk rezulton të jetë në përputhje me dispozitat e shtetit ligjor, ndërkohë që nuk përbën trajtim të drejtë të një përfaqësuesi të zgjedhur të pushtetit vendor, pasi, siç del nga një njoftim i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, është i vetmi paraburgim në gjithsej 31 ankesa për krime elektorale.
Ai gjithashtu ngre pikëpyetje për ekzistencën e përshtatshmërisë politike për mbajtjen e paraburgimit, pasi ngre pengesa thelbësore që Fredi Beleri të marrë detyrën e tij si kryetar komune.
Paraburgimi në vazhdim i F. Beleris ka qenë objekti i bisedës së sotme mes ministrit të Jashtëm Vasilis Kaskareli dhe homologes së tij shqiptare Olta Xhaçka në Oslo, në margjinat e takimit joformal ministror të ministrave të jashtëm të NATO-s.
Ministria e Punëve të Jashtme e mban çështjen shumë lart në prioritetet e saj dhe, përtej dimensionit dypalësh të çështjes, do të vazhdojë të informojë dhe ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti partnerët europianë, pasi Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimi në BE”, shkruan Ministria e Jashtme greke.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, pasi u akuzua se u ka premtuar shumë monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës. Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Si përfaqësues i komunitet grek në Himarë, për këtë reagoi edhe Greqia duke thënë se arrestimi i tij është në shkelje me ligjin.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.