Prej tre vitesh qytetarët e Tiranës, por jo vetëm, përdorin aplikacionin “Tirana ime”, për të bërë denoncime apo ankesa që lidhen me transportin publik, ndotjen e mjedisit, zhurmat, për qentë endacakë apo edhe për zënien e hapësirave publike.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar rastin e një ankese nga ana e qytetarëve në lidhje me parkimin e gabuar.
“Lamborghini-n ta kesh me jetë lali, por mëso të parkosh, siç parkon në Gjermani! Faleminderit qytetarëve që raportojnë çdo ditë problematikat tek aplikacioni “Tirana Ime” – një mundësi që secili të sillet si kryetar bashkie për mëhallën e vet”, thotë Veliaj.
Por cilat janë hapat që ndiqen nga moment i marrjes së ankesës?
Menjëherë sapo printohet problematika, nga zyra e ‘Tirana ime’, i dërgohet zyrës së sektorit që do ta ndjekë problematikën, dhe kontrollorë të certifikuar të shërbimit publik, janë me dy turne në terren dhe janë menjëherë të gatshëm mbas marrjes së mesazhit në Whatsapp të procedojnë më tej për problematikën. Nëse vihen re shkelje dhe verifikohet ankesa e qytetarit, masat administrative janë të menjëhershme.
Aplikacioni “Tirana Ime” ka rezultuar një mjet i dobishëm në duart e qytetarëve për të raportuar çdo problematikë që hasin në kryeqytet.
Qytetarët që përdorin aplikacionin “Tirana ime” kanë mundësi të marrin disa informacione, duke nisur që me cilësinë e ajrit, me transportin publik, me të dhëna për turizmin, por edhe se cilat janë zonat me trafik më të rënduar/ATSH