Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman, u shpreh i vendosur për të mbështetur Katarin pas sulmit izraelit në Doha, duke kërkuar një përgjigje të përbashkët arabe, islame dhe ndërkombëtare. Ai tha se Arabia Saudite do të qëndrojë pranë Katarit pa kufij dhe do të vërë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj.
“Ne qëndrojmë fuqishëm me Katarin dhe do të përdorim të gjitha kapacitetet tona për ta mbrojtur,” tha ai.
Bin Selman ripërsëriti mbështetjen për të drejtat e palestinezëve dhe për Nismën e Paqes Arabe të vitit 2002.
Nga ana tjetër, Izraeli, përmes kryeministrit Benjamin Netanyahu, i kërkoi Katarit të dëbojë ose ndjekë penalisht terroristët në territorin e tij.
“I them Katarit dhe të gjitha vendeve që strehojnë terroristë, ose t’i dëboni ose t’i sillni para drejtësisë. Sepse, nëse nuk e bëni këtë, ne do ta bëjmë”, tha Netanyahu, ndërsa, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, premtoi veprime kundër të gjithë armiqve kudo që ndodhen.
Katari e ka dënuar sulmin si akt terrorizmi shtetëror dhe konfirmoi vdekjen e një anëtari të forcave të sigurisë. Kjo ngjarje ka shkaktuar tensione diplomatike në rajon, ndërsa liderë të ndryshëm arabë po nisen drejt Katarit për të treguar mbështetje.
Presidenti i Emirateve Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed, mbërriti në Doha, ndërsa princi i Jordanisë dhe Mohammed bin Salman pritet të vizitojnë qytetin gjatë ditës.
Sulmi izraelit ka nxitur kritika të forta dhe thirrje për solidaritet ndërkombëtar ndaj Katarit dhe palestinezëve, teksa situate paraqet një moment kritik për stabilitetin e Lindjes së Mesme.