Redaksia e VNA.AL ka siguruar një foto ku duket prokurori i SPAK, Arben Kraja, duke darkuar me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci në Tiranë.
Kujtojmë se Beci është nën hetim nga institucioni që vetë Kraja drejtoi deri pak kohë më parë.
Takimi mes dy figurave ngre dyshime të forta mbi etikën dhe paanshmërinë e hetimeve, duke cenuar besimin te institucionet.
Nuk dihet nëse takimi ishte thjesht një rastësi apo kishte një qëllim të caktuar, por fakti që një ish-kryetar i SPAK-ut darkon me një të hetuar lë vend për pikëpyetje të mëdha mbi drejtësinë në vend.
Benet Beci është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dyshime mbi shkelje të kryera gjatë detyrave të tij të mëparshme, veçanërisht gjatë kohës kur ai shërbente si drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Sipas burimeve nga SPAK, hetimet lidhen me procedura tenderimi ku dyshohet se janë kryer shkelje që kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit. Në nëntor të vitit 2024, Beci u paraqit në zyrat e SPAK-ut për të dhënë shpjegime në lidhje me këto akuza. Pas daljes nga prokuroria, ai nuk pranoi të komentonte për mediat.
Kujtojmë se ish-numri dy i Edi Ramës, Arben Ahmetaj ka deklaruar se një urdhër-arresti për Benet Becin është grisur nga SPAK.