Viktima Arben Lleshi i cili u ekzekutua nga Sokol Mjacaj ditën e sotme brenda qelisë së tij në burgun e Peqinit, vuante dënimin përjet për vrasjen e Agim Hoxhës dhe djegien e trupit të tij, të ndodhur në vitin 2012.
Ai u kap në Angli dhe më pas u ekstradua në Shqipëri ku u dënua me burgim të përjetshëm. Në pranga ra edhe vëllai i tij, i cili e kishte ndihmuar në djegien e trupit të Agim Hoxhës dhe zhdukjes së provave. Pas kësaj vazhdoi saga e vrasjeve dhe rrëmbimeve në fisin Lleshi.
Në 30 tetor të vitit 2013, u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit.
Në 15 maj 2016 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit.
Ndërkohë që në 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz, ku është parë për herë të fundit dhe u zhduk.
Ndërsa në datë 5 gusht 2020 u zhduk edhe Klevis Lleshi 21-vjeç. Ai sapo ka dalë nga shtëpia për kafe, e rrëmbyen dhe u zhduk. Dyshohet se Klevisi kishte nisur të fliste për hakmarrje ndaj familjes Hoxha dhe pas këtyre fjalëve ka ndodhur rrëmbimi i tij. Ende sot e kësaj dite 3 vite pas zhdukjes, nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Pra bilanci i viktimave në familjen Lleshi është 2 të vdekur dhe 2 të zhdukur. Aktualisht në shtëpinë e Xhavit Lleshit është vetëm nëna e tij dhe tre motrat që janë martuar në Burrel. Ndërkohë që pas përleshjes në burg gjatë ditës së sotme u vra edhe Arben Lleshi.