Nga Ardi Omeri
“Dorina” ishte filmi që ktheu në memorien time, trashëgiminë kulturore të qytetit të Durrësit. Pashë aty aktorë të jashtëzakonshëm, figura të nderuara të kinematografisë dhe skenës shqiptare Vangjel Heba, Guljelm Radoja, Marta Burda, Ali Bega, Milto Profi, Liri Lushi, Hysen Bashhysa, Kadri Pirro, Haxhi Rama etj se ishin shumë dhe të gjithë të trupës së Teatrit Aleksandër Moisiu.
Durrësi ishte një nga shtyllat kryesore të Kinostudios “Shqipëria e re” dhe kishte trupën e saj me aktorë të mëdhenj. Kësaj trupe, bashkë me emra si Lutfi Hoxha, Mirush Kabashi, Xhelal Tafaj që i bashkohen emrave në kastin e filmit që sipërpërmenda, nëse do i shtonim aktorët e estradës dhe humorit, Nikolin Xhoja, Ramazan Njala, Spiro Strati, Aishe Stari, Fadil Hasa, Roland Koca, Adem Gjepali, Muharrem Hoxha, Sanie Hoti etj. etj, (të më falin ato që skam përmend se janë shumë, shumë) e po ti shtojmë edhe këngëtarët profesionistë dhe ato amatore, bëhen një armatë e madhe që fatkeqsisht u shuajt dalë ngadalë nga shumë arsye.
Një është mosha e aktorëve, largimi nga jeta e disave dhe emigrimi i disa të tjerëve. Por, sikur këto të ishin të vetmet arsye, do ishte mirë. Një nga arsyet më të mëdha është indiferenca e institucioneve drejtuese, e politikës në qendër dhe në qytet.
Si fillim u shuajt Teatri e më pas trupa e estradës. Aktorët që bëjnë shfaqje në Teatër janë të huazuar nga Tirana. Në trupën e Teatrit të sotëm shumica janë aktorë të “marrë hua” që paguhen nga buxheti i bashkisë. Falë vullnetit dhe talentit të regjizorëve durrsakë Driada Dervishi dhe Andia Xhunga ne sot kemi akoma një trupë aktorësh, edhe pse “të huaj”, kur ndërkohë mund të kishim trupën e aktorëve durrsakë dhe trupën e estradës së Durrësit.
Nuk mungojnë as humoristët e as aktorët e teatrit që detyrohen të shkojnë në skena të tjera në Tiranë apo në televizione sepse nuk kanë asnjë interes të performojnë në Durrës për “dy lekë”. S’po i përmend me emra por ne i njohim. Madje edhe regjizorët po na i merr Tirana.
Sot drejtuesit e institucioneve na vijnë nga Tirana. Disa jetojnë në Tiranë dhe punën e kanë në Durrës e disa nuk kanë asnjë lidhje me Durrësit. Kjo anomali u shfaq gjatë qeverisjes së gjatë, gati 20 vjeçare të Adrian Gurrës, që ndiqte urdhërat e Vangjushit dhe Zhyl Varfit, që bënin qoka në Tiranë me miqtë e tyre. Fondet e kulturës vidheshin dhe mbetja shpërndahej me % e deri edhe në bashki të tjera.
Trupa e Teatrit u katandis si mos më keq dhe Estrada u zhduk. Aktorët e estradës u katandisën me pension pleqërie, herë të plotë e herë të parakohshëm dhe “në mëshirë” të ftesave nëpër shfaqje të ndryshme nëpër Shqipëri ose duke recituar privatisht për të “rrumbullakos pensionin.
Të gjithë i duan humoristët tanë të mëdhenj, të gjithë i nderojnë e i duan mes tyre në gëzime e festa, përveç drejtuesve të Bashkisë.
Po ne?
Ne si qytetarë të Durrësit, përse heshtim?
Kultura e qytetit tonë nuk mund të jetë pronë e askujt perveçse e artistëve dhe qytetarëve të Durrësit.
Duhet sa më parë dhe me urgjencë të ristrukturohet Trupa e Aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe Estrada e famshme që me regjizor Nderin e Kombit Gjergj Vlashi në fillim e më pas me mjeshtrin Haxhi Rama u bë një ndër ikonat më të famshme të humorit shqiptar.




