Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në familjen e “Dëshmorit të Atdheut”, Arjan Sala, i cili humbi jetën në përpjekjen heroike mes flakëve, për të shpëtuar jetën e të tjerëve.
“Fjalët janë të tepërta por duhet të jeni krenar sepse ka shpëtuar shumë njerëz, fatkeqësisht me çmimin e jetës së tij. Por ka bërë vërtetë një heroizëm të madh dhe shumë të rrallë, do thoja. Natyrisht që jeta është pa çmim e nuk kthehet, por sidoqoftë ne menduam se ishte detyra jonë ta nderojmë dhe vlerësojmë, ndaj vendosëm ta shpallim Dëshmor të Atdheut”, tha Rama, i cili i dorëzoi familjes vendimin që e shpalli të riun “Dëshmor të Atdheut”.
Kryeministri siguroi se “do ta mbështesim me sa të kemi mundësi edhe familjen e tij të vogël”. “Fëmijës ligjërisht i takon një pension i veçantë dhe ne vendosëm t’i japim një shumë tani familjes. Kuptohet të gjitha këto janë më shumë për respekt se sa bëjnë ndonjë ndryshim”, tha ai.
“Ne erdhëm për ta respektuar, fjalët janë të tepërta, nuk kanë shumë vlerë. Solla dhe atë shpalljen Dëshmor i Atdheut do bëjmë gjithçka mundemi për mos t’ju lënë vetëm, do kujdesemi edhe për ju edhe për fëmijën. E di që është e tmerrshme, se imagjinoj dot, por e marr me mend sa mundem dhe duhet të ndiheni shumë krenar, sepse ka bërë një akt heroik, ka shpëtuar shumë jetë. Do ishin shumë familje duke qarë sot”, tha Rama.
Jeta vazhdon për të gjithë të tjerët në një mënyrë a në një tjetër, tha Kryeministri, “vetëm nëna e shkretë”.
“Nuk e harroj kurrë halla e tim eti kishte pasur një djalë që pas luftës, për arsye pa lidhje ia vranë, e pushkatuan. Nuk e harroj, kemi qenë të vegjël kur shkonim te shtëpia e saj. Shkonim për t’i uruar Vitin e Ri familjes dhe ajo ishte shumë në moshë dhe ditën e Vitit të Ri ndizte qiririn dhe ishte me të birin. 30 vite mbrapa ka qenë. Nëna është e dënuar të ketë dhimbjen më të madhe, të pangushëllueshme komplet. Të ka lënë një ngushëllim të vogël, nipin, e ka lënë pasuesin e vetë”, tha Rama.
Sot, vijoi ai, “na ndodhi edhe vdekja e atij shokut tonë, Bashkimit”. “Ai kaloi një operacion shumë të vështirë para ca kohësh dhe ishte trupi i ekspozuar për dhe COVID-in, nuk e përballoi dot. Ishte i veçantë, shumë, shumë i veçantë. Shumë njeri i dashur, i butë. Të gjithë kemi ardhur për të ikur, nuk kemi ardhur për të ndenjur, varet çfarë gjurme lëmë”, tha Rama.
Rama tha se Arjan Sala ka bërë heroizëm. “Trim e ka bërë zemra dhe edukata që i keni dhënë. Ato e kanë bërë trim, nuk i ka kthyer shpinën të tjerëve, por ka shkuar deri në fund dhe fatkeqësisht nuk doli dot vetë. Fakti që shpëtoi gjithë të tjerët, sikur e ka marrë Zoti për vete në fund. Kur i merr të rinj, i zgjedh gjithmonë, thonë. Të gjithë i rregullon koha e jeta vetëm nëna të ketë fuqi ta mbajë se të gjithë në një mënyrë a një tjetët e kapërcejnë. Kështu është krijuar njeriu, ndryshe nuk do kishte duruar dot. I ra gurit plasi, ia dha njeriut duroi. Do vij një ditë tjetër më qetësisht. Të rroni e ta kujtoni gjithmonë”, iu drejtua Rama familjarëve.1 nga 5
Arjan Sala shpallet “Dëshmor i Atdheut”
Më herët, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi shpalli “Dëshmor i atdheut” shtetasin Arjan Fadil Sala, i cili humbi jetën në mbrojtje të kolegëve të tij gjatë rënies së zjarrit në një qendër tregtare në Tiranë.
Akti heroik i shtetasit Arjan Sala bëri që komisioni ta nderojë me statusin më të lartë, me motivacionin: “Humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar popullsinë në raste fatkeqësie”.
Gjithashtu, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” vendosi dhënien e shpërblimit financiar mujor rrethit familjar të dëshmorit, sipas certifikatës së gjendjes familjare në çastin e vdekjes së Dëshmorit të Atdheut, duke filluar nga data e shpalljes së vendimit.
Certifikata e Dëshmorit të Atdheut dhe simbolit “Familje e Dëshmorit të Atdheut”, iu dorëzua nga Kryeministri Rama familjes së Dëshmorit të Atdheut, Arjan Fadil Sala./ATSH/