Bota
Arkeologjia e së nesërmes: Çfarë do të mbetet nga megaqytetet tona?
Nga David Farrier
Të gjitha qytetet janë rrënoja në gjendjen e tyre fillestare. Dhe rrënojat ndodhen tashmë atje, nën rrugët plot shkëlqim. Kjo mund të shihet qartë në projektin e filozofit Valter Benxhamin mbi kalimet e nëndheshme të Parisit, që mbeti i papërfunduar kur autori vdiq në vitin 1940.
Benxhamin punoi për 13 vjet rresht mbi reflektimin e tij ndaj galerive të mbuluara me hekur dhe xham të Parisit të shekullit XIX (ka zëra se dorëshkrimi përfundimtar u zhduk nga çanta e Benxhaminit kur ai vdiq, gjatë arratisë nga Franca e pushtuar nga nazistët).
Duke qenë ndryshe nga një grup shënimesh dhe reflektimesh të skicuara, ato janë lexuar nga shuam njerëz si vepra themelore mbi qytetin modern. Ajo që ka ardhur deri tek ne është vetëm një lloj rrënoje:një kolazh i çuditshëm kujtimesh dhe erudicioni, citime dhe anekdota. Konceptimi i Benxhamin për qytetin merr formë në një bollëk detajesh.
Në bazë të frymëzimit të reflektimeve të Benxhaminit është bohemi i Bodlerit, njeriu që ecën përmes turmës, shikimi i të cilit përshkon sipërfaqen e qytetit dhe lidh fragmentet e tij. Parisi i Benjaminit është siç e thotë vetë ai“qyteti i hallakatur” i poezive të Bodlerit, me detin e tij të shtëpive të ngjashme me “dallgët gjigante”, “më shumë si një nëndetëse”.
Por ajo që grishi imagjinatën e tij, qëndronte e zhytur nën çatitë prej qelqi të galerive. Në një pasazh nga faqet e para, të shkruara gjatë viteve 1928-1929, Benxhamin kujton entuziazmin që ndjente si fëmijë mbi enciklopeditë, në veçanti për ilustrimet me ngjyra të peizazheve parahistorike: xhunglat e egra të Karboniferit, apo “Liqenet dhe akullnajat e Epokës së parë Akullnajore”.
Një panoramë e ngjashme shpaloset, sugjeron ai, kur mendojmë edhe për kalimet e nëndheshme pariziane, që për Benxhamin ngjanin me gjurmët e kohës së thellë. Konsumatori që e frekuenton galerinë shpellore është “dinosauri i fundit në Evropë”; dhe “në muret e këtyre shpellave, mallrat shumohet si një florë e paharrueshme” dhe qëndrojnë në “marrëdhënie më pak të rregulluara”.
Në bollëkun e galerive, shfaqet “një univers afinitetesh misterioze” shkruan Benjamin:“Pema e palmës dhe pluhuri, tharësja e flokëve dhe Venera e Milos, protezat dhe mbajtësjae kartës”, të lidhura në mënyrë të padukshme nga jetët nëpër të cilat kalojnë.
Ideja themelore e Benxhamin në librin mbi galeritë, është se secili qytet përbëhet nga sekrete të panumërta. Materialet nga e gjithë bota derdhen në qytet në beton, tullat dhe çelikun që përmbajnë godinat e tyre, apo në formën e filxhanëve të kafesë dhe kartave të kreditit, kabllove me fibra optike, xhamave të dritares, unazave prej diamanti dhe kapëses së letrës.
Sado të ndara të duken nga njëra-tjetra, këto objekte kanë një lidhje të përbashkët. Sekreti i tyre jemi ne, që i mbushim ato me jetë dhe me të cilët ndajmë intimitete.
Më shumë se të gjitha gjurmët e tjera që do të lëmë pas – rrugët gri të përhapura në Tokë si venat e gjakut, guroret e thella që gërmuam dhe mbetjet kimike që lamë në ajër, akullin dhe ujin, apo plastikat e qëndrueshëm dhe radionuklidet akoma më të qëndrueshme – qytetet tona do të jenë arkivi më gjithëpërfshirës dhe zbulues i asaj se kush ishim dhe si jetonim.
“Flora jonë e lashtë”, do të ngelet në mbetjet e fosilizuara të ndërtesave, në infrastrukturat e tyre të varrosura dhe në objektet e panumërta të vogla të hedhura tej, si një enciklopedi e gjerë e jetës dhe dëshirave njerëzore.
Më shumë se gjysma e botës jeton tani në qytete; deri në vitin 1800, ishte vetëm 3 për qind. Në vitin 2016, kishte 512 qytete me një popullsi mbi 1 milionë banorë. Kombet e Bashkuara parashikojnë që do të ketë 662 të tilla në vitin 2030, duke e shtuar çdo vit me 72 milion njerëz popullsinë urbane në mbarë botën.
145 milion njerëz jetojnë në brigje më pak se 1 metër mbi nivelin e detit. Shumica janë të vendosur në megaqytete të tilla si Xhakarta, Lagosi, Nju Jorku dhe Mumbai. Midis viteve 1995-2015, numri i këtyre megaqyteteve, me 10 milion banorë ose më shumë, është dyfishuar, dhe qëtë gjithë ato janë në rritje.
Deri në vitin 2030, popullsia e Shangait do të jetë rritur nga 24 në mbi 30 milion; ajo e Mumbai do të ketë arritur në 27 milion. 9 milion njerëz do të jetojnë në Daka; 11 milion në Lagos. Gjatë dekadave të fundit, qytetet janë zgjeruar nëpër shkretëtira, si për shembull pallatet plot shkëlqim të Dubait, duke kolonizuar mijëra hektarë tokë të rikuperuar nga deti. Në të ardhmen mund të gërmohen nën tokë, siç është qyteti nëntokësor me shumë nivele i projektuar nga Singapori.
Për një kohë të kufizuar, që të gjitha qytetet do të lënë pas gjurmë. Nuk është një panoramë e plotë:duke mos pasur një infrastrukturë shumë të qëndrueshme, afro 1 milionë njerëz që improvizojnë jetën e qytetit në Dharavi, nuk do të kontribuojnë në gjurmët e Mumbait si ata që jetojnë në rrokaqiejt e Nariman Point.
Por me struktura të mëdha dhe themele të thella, edhe qytetet bosh do të rezistojnë për mijëra vjet në formën e ishujve prej qelqi dhe betoni, të lidhur nga një rrjet hekurishtesh (hekurudha, rrugë, kanalizime dhe tuba).
Por nëse marrim parasysh fatin e qyteteve në një shkallë prej disa miliona vjetësh, përfundimisht ato që ndodhen në lartësi më të mëdha, ose aty ku ngrihet toka do të reduktohen në asgjë. Qytetet që do të ruhen do të jenë të mbrojtura nga erozioni falë bekimit të ujit dhe “balsamit” të baltës.
Megaqytetet me lartësi të ulët të vendosura në zonat bregdetare, grykëderdhjet detare apo fushat që sot përmbyten vazhdimisht, kanë shansin më të mirë të fosilizimit. Pasi të zhytet nën ujë, qyteti i braktisur do të mbulohet me një shtresë të trashë balte që do ta mbrojë atë nga orekset e klimës dhe oksidimit.
Përfundimisht, ndërtesat e tij do të shemben, por ajo që është varrosur, gjurmët nëntokësore – themelet e godinave dhe shtyllat prej betoni që mbajnë në këmbë qiellgërvishtësit e Nju Orlinsit, apo edhe shtyllat prej druri të veshura me gur të Venecias; metrotë, tubat dhe kabllo – përfundimisht do të formojnë atë që gjeologu Jan Zalasiviz, president i Grupit të Punës së Antropocenit, e quan “shtresa urbane”, një qilim i pasur me gjurmë njerëzore dhe afinitete të fshehta të ngjeshura në shkëmb.
Pas 100 milionë vjetësh nga tani, ajo që do të mbetet nga Nju Jorku ose Mumbai mund të jetë një depozitë jo më e trashë sesa fundi i cekët i një pishine. Ironikisht, uji që detyron braktisjen e qyteteve bregdetare, do të sigurojë gjithashtu të ardhmen e tyre.
Ndërkohë, humbja e qyteteve që njohim do të sjellë lindjen e qyteteve të tjera, ndërsa njerëzit do të largohen në kërkim të tokës së thatë:një Majemi apo një Nju Jork i ri. Ndërsa dallgët do të përplasen mbi qytetet e vjetra, qytetet e reja do të ngrihen mbi terrene më të larta, duke i shtyrë themelet e tyre në shtresat gjeologjike, dhe duke ndërtuar botën e tyre të afinitetit të fshehtë. / “Linkiesta” – Bota.al
Bota
Cila ekonomi pati performancën më të mirë në 2025?
Mund të kishte qenë shumë më keq. Në prill 2025, ndërsa presidenti Donald Trump nisi luftën e tij tregtare, investitorët dhe shumë ekonomistë u përgatitën për një recesion të fortë global.
Në fund, GDP-ja botërore ka të ngjarë të rritet me rreth 3% për vitin 2025, njësoj si në 2024-n. Papunësia mbetet e ulët pothuajse kudo. Tregjet e aksioneve kanë regjistruar edhe një vit tjetër me fitime të kënaqshme. Vetëm inflacioni mbetet realisht shqetësim. Në të gjithë OECD-në, ai vazhdon të jetë mbi objektivin 2% të bankave qendrore.
Kjo performancë e përgjithshme fsheh dallime të mëdha. Prandaj, për të pestin vit radhazi, The Economist ka identifikuar “ekonominë e vitit”. Janë përmbledhur të dhëna për pesë tregues—inflacionin, “shtrirjen e inflacionit”, GDP-në, punësimin dhe performancën e tregut të aksioneve—për 36 vende kryesisht të pasura.
Vendet janë renditur sipas rezultateve në secilin tregues, duke krijuar një pikëzim të përgjithshëm të suksesit ekonomik në 2025. Tabela më poshtë paraqet renditjen.
Lajmet e mira vijnë sërish nga Europa Jugore. Pas fitores së Spanjës në vitin 2024, Portugalia është ekonomia me performancën më të mirë këtë herë. Në 2025 ajo ka kombinuar rritje të fortë të GDP-së, inflacion të ulët dhe një treg aksionesh me gjallëri.
Edhe anëtarë të tjerë të Eurozonës që patën vështirësi në vitet 2010, përfshirë Greqinë (fituesja në 2022 dhe 2023) dhe Spanjën, renditen pranë majës. Gjetkë, Izraeli ka vijuar rimëkëmbjen e fortë pas kaosit të 2023-it, ndërsa Irlanda e humb me pak vendin e parë. Kolumbia ka përfituar si nga rritja e fortë ekonomike, ashtu edhe nga një treg aksionesh në lulëzim.
Në fund të renditjes gjenden kryesisht vende të Europës Veriore: Estonia, Finlanda dhe Sllovakia. Gjermania ka ecur pak më mirë se në vitet e mëparshme, por sërish dobët, e tërhequr poshtë nga një treg pune i dobët.
Britania ka pasur një vit po aq “mediokër”. (Franca, pavarësisht kaosit politik, shënon rezultate mjaft të mira.) Përtej Atlantikut, SHBA-ja renditet vetëm në mes, dhe madje del më keq se Italia. Tregu i punës është i fortë, por jo i jashtëzakonshëm. Inflacioni relativisht i lartë e ul pikëzimin e përgjithshëm.
Në fakt, treguesi i parë është inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e ushqimit dhe energjisë për shkak të paqëndrueshmërisë së tyre. Një vend renditet më mirë sa më afër të jetë norma vjetore me 2%, objektivi tipik i bankierëve qendrorë. Inflacioni i Turqisë është shumë më i lartë se kudo tjetër, për shkak të politikave ekonomike të çmendura të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Estonia është e dyta nga fundi, me inflacion bazë gati 7% në tremujorin e tretë të 2025-ës, ndërsa vazhdon rimëkëmbjen nga shoku energjetik i 2022-it. Shumë vende të tjera kanë vështirësitë e tyre. Inflacioni bazë i Britanisë ishte më i ulët se fundvitin e vitit 2024. Por me 4% ai mbetet shumë mbi atë që Banka e Anglisë do të donte të shihte.
Në disa vende inflacioni bazë është shumë i ulët. Kjo përfshin Suedinë, ku ai është pothuajse inekzistent. Për shumë konsumatorë, të lodhur pas katër vitesh rritjeje të shpejtë të çmimeve, kjo mund të tingëllojë një mrekulli. Megjithatë, në një skenar të tillë ekonomistët shqetësohen për deflacionin, i cili dekurajon shpenzimet dhe rrit barrën reale të borxheve.
Të kesh pak inflacion është më mirë sesa të mos kesh fare. Një grup vendesh të tjera, përfshirë Finlandën dhe Zvicrën, kanë lexime po aq ‘anemike’. Edhe pse Japonia ka inflacion më të lartë se në vitet 2010, ai nuk i afrohet aspak mbinxehjes që shihet gjetkë.
“Shtrirja e inflacionit” tregon një histori të ngjashme. Ky tregues ndjek pjesën e artikujve në shportën e konsumit ku çmimet rriten me më shumë se 2% në vit. Në disa vende ai është rritur ndjeshëm, përfshirë SHBA-në, ndoshta si pasojë e një politike fiskale tepër agresive. Edhe sot, çmimet e më shumë se 85% të artikujve në shportën e konsumit të australianëve po rriten me mbi 2% në vit.
Po rritja dhe punësimi, treguesit e tjerë ekonomikë që u interesojnë thellësisht votuesve? Portugalia spikat. Turizmi ka lulëzuar, ndërsa shumë të huaj të pasur po zhvendosen në vend për të përfituar nga normat e ulëta tatimore.
Rritja e GDP-së është dukshëm mbi mesataren europiane. Republika Çeke shënon rritje të mira si në prodhim ashtu edhe në punësim, duke u ngjitur në të tretën e sipërme të renditjes sonë. Në të kundërt, Koreja e Jugut ka humbur vende pune. Norvegjia, e ekspozuar fort ndaj mallrave bazë dhe transportit detar, ka vuajtur nga ngadalësimi i tregtisë globale.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, Irlanda regjistroi rritje ekonomike mbi 12% nga viti në vit, një shifër spektakolare, por gjithashtu mashtruese. Shumë kompani të mëdha shumëkombëshe që regjistrojnë fitimet në vend shtrembërojnë llogaritë kombëtare. Prandaj ekonomistët irlandezë preferojnë të përdorin “kërkesën totale të brendshme të modifikuar”, një tregues i ngjashëm i prodhuar nga zyra kombëtare e statistikave, që heq shumicën e këtyre shtrembërimeve. Edhe ne kemi vepruar njësoj.
Tregjet e aksioneve përmbyllin vlerësimin e The Economist. Mund të pritej që aksionet amerikane të ishin fituese absolute. Megjithatë, rritja e çmimeve të aksioneve në SHBA ka qenë thjesht e kënaqshme.
Vlerësimet e larta të tregut pasqyrojnë kryesisht sukseset e viteve të mëparshme. Edhe Franca ka pasur një performancë mesatare, me aksionet e kompanisë së saj më të vlefshme, LVMH, që kanë qëndruar në vendnumëro.
Në këtë tregues, askund nuk ka performuar më keq se Danimarka. Çmimi i aksioneve të Novo Nordisk, prodhues i Ozempic, ka rënë me 60%, pasi kompania ka humbur avantazhin në tregun e barnave për humbje peshe.
Një rikthim
Për fitime të zjarrta në tregjet e aksioneve, investitorët duhet të shohin diku tjetër. Edhe pse kompanitë çeke dhe koreano-jugore kanë performuar mirë në 2025, askund nuk ka pasur performancë më të mirë (në terma të monedhës vendase) se Izraeli. Gjatë vitit të kaluar, çmimi i aksioneve të kompanisë më të vlefshme të listuar në vend, Bank Leumi, është rritur me rreth 70%.
Edhe investitorët portugezë kanë përfituar, me tregun e aksioneve të vendit që është rritur me më shumë se 20% në 2025. Sipas përllogaritjeve, tregu i aksioneve i vendit që u emërua si “ekonomia e vitit” do të rritet mesatarisht me 20% në vitin pasues.
The Economist
Bota
“Vajza ime mbijetoi falë një zinxhiri të pabesueshëm ngjarjesh”, heroi 55-vjeçar i Crans-Montanës shpëtoi dhjetë të rinj: Pashë njerëz që digjeshin të gjallë dhe…
Një baba në Zvicër ka përshkruar se si një telefonatë nga vajza e tij në natën e Vitit të Ri i dha mundësinë të shpëtonte jetën e të paktën dhjetë personave kur shpërtheu një zjarr vdekjeprurës në një vendpushim skish në Alpet Zvicerane.
Paolo Campolo, 55 vjeç, foli për gazetën italiane Il Messaggero, duke shpjeguar se mbërritja me vonesë e vajzës së tij 17-vjeçare për numërimin mbrapsht të Vitit të Ri në barin Le Constellation në Crans Montana rezultoi vendimtare në ndihmën e njerëzve të bllokuar në flakë.
Duke folur nga spitali në Sion, ku po trajtohet për probleme serioze të frymëmarrjes nga thithja e tymit, analisti financiar tha se vajza e tij Paolina, e cila ndjek një shkollë të mesme në Gjenevë, por ishte në shtëpi për festat, do të takonte të dashurin e saj në klubin e famshëm dhe luksoz.
Megjithatë, ajo po vonohej, pasi ndaloi për herë të parë në shtëpinë e babait të saj “për të përshëndetur, për të bërë një dolli së bashku dhe për të prerë panettone-n”, tortën tradicionale italiane të festave.
“Ishte faji ynë që u vonuam, ajo duhet të kishte qenë në klub deri në mesnatë. Sot mund ta them pa asnjë ekzagjerim, kjo vonesë i shpëtoi jetën”, tha ai në një intervistë të përkthyer nga italishtja në anglisht.
Paolina nuk pati kohë të hynte në lokal, ndryshe nga partneri i saj, i cili kishte hyrë tashmë në lokal.
Ndërsa ai po e priste në hyrje, shpërtheu zjarri. Rreth orës 1:20 të mëngjesit (ora lokale), 17-vjeçarja telefonoi të atin duke kërkuar ndihmë. Ai, duke parë flakët nga shtëpia e tij, e cila është jo shume larg, vrapoi drejt lokalit Le Constellation me fikësen e tij të zjarrit.
Duke kujtuar atë agim, Paolo tha se “flakët nuk ishin më aq të larta, por kishte tym të dendur e të zi kudo. Djegia ishte jashtëzakonisht e shpejtë dhe e dhunshme, zgjati vetëm disa minuta. Pastaj u ndal. Por nuk kishte më oksigjen brenda. Dhe kjo është ajo që shkaktoi tragjedinë”. Ai kujtoi gjithashtu se e kishte parë Paolinën jashtë ndërtesës, “të palëvizshme” dhe “në shok”, duke pritur pa ndihmë partnerin e saj të dilte nga kaosi.
“Ai ishte pikërisht pas derës. Arriti të dilte para syve të saj. Ai u shpëtua fjalë për fjalë për disa sekonda, por tani është në spital në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë në Bazel, me djegie të gjera”, tha Paolo. “Vajza ime u shpëtua falë një zinxhiri të pabesueshëm ngjarjesh. Nëse do të kishte ndodhur pak më herët ose pak më vonë, historia do të kishte qenë krejtësisht ndryshe.”
Ai shtoi se, në atë kohë, besonte se fikësi i zjarrit që kishte me vete “ishte i padobishëm”, por u përpoq të ruante qetësinë derisa mbërritën forcat e para të shpëtimit.
Dëshmia e tij është tronditëse
Më në fund ai gjeti një dalje për të ndihmuar ata që kishin mbetur të bllokuar, “por ishte e bllokuar ose e mbyllur nga brenda”.
“Arrita të hyja me forcë dhe kështu arrita të shpëtoja dhjetë të rinj. Kishte shumë italianë atje… Përmes dritareve mund të shihja këmbë dhe krahë. Trupa të shtrirë në dysheme”, tha ai.
Siç tha ai, një i huaj e ndihmoi të thyente një dritare.
“E tëra çfarë mund t’ju them është se disa trupa ranë mbi ne. Ishin të rinj, të gjallë por të djegur. Disa ishin të vetëdijshëm, të tjerë jo. Ata po kërkonin ndihmë në gjuhë të ndryshme, përfshirë italishten”, tha Paolo. “Ishin shumë të rinj. Ky dyqan i veçantë ishte një pikë takimi në Crans Montana dhe vizitohej kryesisht nga të mitur. Përpara meje pashë shumë vajza të veshura me minifunde dhe bluza elegante, të cilat kishin pësuar djegie në lëkurë.”
Nga njerëzit që nxori, ai kujtoi se disa ishin “të dehur” dhe “gjallë por të plagosur, disa rëndë”.
Mendimi që e mbajti të fortë: “Mund të kishin qenë fëmijët e mi”.
Përveç të huajit që e ndihmoi, Paolo shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për bizneset lokale dhe profesionistët në komunitet që u mobilizuan menjëherë për të ndihmuar.
Bota
Maduro dhe gruaja e tij janë kapur nga Delta Force e ushtrisë amerikane; Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës thotë se të gjitha forcat e armatosura do të jenë të vendosura në vend
Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës ka njoftuar një vendosje të menjëhershme të forcave ushtarake në të gjithë vendin.
Duke folur në spanjisht në një video-adresim, Vladimir Padrino López bëri thirrje për një front të bashkuar rezistence përballë “agresionit më të keq” ndonjëherë kundër Venezuelës, duke shtuar se Venezuela po ndiqte “urdhrat e Maduros” që të gjitha forcat e armatosura të dislokohen.
“Na kanë sulmuar, por nuk do të na nënshtrojnë”, thotë ministri i mbrojtjes.
Zëvendëspresidenti i Venezuelës kërkon prova të jetës, pasi vendndodhja e Maduros nuk dihet
Sapo dëgjuam nga zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez.
Ajo thotë se qeveria nuk e di vendndodhjen e Presidentit Maduro ose të Zonjës së Parë Cilia Flores.
Ajo shtoi se qeveria kërkoi “prova të menjëhershme të jetës” për të dy.
Çfarë dëmesh i janë shkaktuar infrastrukturës ushtarake të goditur? Dhe çfarë viktimash ka?
Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino, ka thënë se qeveria po mbledh informacione rreth të vdekurve dhe të plagosurve dhe pretendon se sulmet kanë goditur zona civile.
Ai shtoi se Venezuela do të “rezistojë” ndaj pranisë së trupave të huaja.
Maduro dhe gruaja e tij janë kapur nga Delta Force e ushtrisë amerikane, thonë zyrtarët për CBS
Presidenti venezuelian Nicolás Maduro u kap nga Delta Force e ushtrisë amerikane, thanë zyrtarët për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News.
Delta Force është njësia kryesore kundër terrorizmit e ushtrisë amerikane.
-
Albania4 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
Albania6 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK6 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports6 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
