Përdorimi i armëve kimike nga Rusia në Ukrainë mund të nxisë NATO-n të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos ndërhyrë në konflikt. Paralajmërimi vjen nga presidenti polak, Andrej Duda, i cili thekson se nëse ndodh kjo atëherë situata fillon të bëhet e rrezikshme, jo vetëm për Evropën, por për gjithë botën.
Polonia e shikon me shqetësim situatën e krijuar në Ukrainë, ku së fundmi paralajmërohet se Rusia mund të përdorë dhe armë kimike të shkatërrimit në masë.
Në një intervistë për BBC, i pyetur nëse beson se presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për përdorim të armëve kimike, Presidenti i Polonisë, Andrej Duda ka thënë se kjo është diçka që bota nuk e ka parë në këtë shkallë prej Luftës së Dytë Botërore.
Sipas tij, Putin mund të përdorë gjithçka tani, sidomos kur është në këtë pozitë të vështirë, pasi politikisht ai e ka humbur këtë luftë, dhe në aspektin ushtarak, ai nuk po e fiton atë.
Duke folur mbi shqetësimin e përdorimit të armëve të tilla, Duka nuk e ka mohuar një ndërhyrje ushtarake të NATO-s, por shtoi se çdo vend anëtar i aleancës shpreson që një gjë e tillë të mos ndodhë.
Mirëpo, tha Duda, nëse Putin përdor armë të shkatërrimit në masë, kjo do të ndryshonte edhe “rregullat e lojës”.
Në një rast të tillë, Presidenti polak theksoi se NATO do të duhej të ulej në tavolinë dhe të mendonte seriozisht si të vepronte, sepse atëherë fillon që situata të bëhet e rrezikshme, jo vetëm në Evropë, por në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se ka shqetësime serioze se Rusia mund të planifikojë të përdorë agjentë kimikë ose biologjikë kundër popullit ukrainas.