Armenia dhe Azerbajxhani në prag të luftës

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Shtatë ushtarë të Azerbajxhanit, një civil dhe dy ushtarë të Armenisë janë vrarë të martën, në ditën e tretë të përleshjes së armatosur mes dy shteteve që e zhvilluan një luftë mes vete në vitet e nëntëdhjeta për shkak të rajonit malor, Nagorno-Karabakh.

Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për përleshjen mes këtyre vendeve pjesërisht edhe për shkak të rrezikut për destabizilim në Kaukazin Jugor, rajon që shërben si korridor për naftësjellës dhe gazsjellës që e furnizojnë tregun botëror.

Zyrtarët e të dyja shteteve thanë se përleshjet që filluan të dielën kanë vazhduar edhe të martën dhe shtetet e akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe bombardim të palës tjetër, shkruan “Reuters”.

Kerem Veliyev, zëvendësministrës i Ministrisë së Mbrojtjes në Azerbajxhan, tha se në mesin e të vrarëve janë një major-gjeneral dhe një kolonel.

Në anën tjetër, Ministria e Brendshme e Armenisë njoftoi se të vrarë nga radhët e forcave të saj kanë mbetur një major dhe një kapiten. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Anna Naghdalyan, tha se qyteti Berd është bombarduar, por se forcat armene i kanë shkatërruar bazat e ushtrisë së Azerbajxhanit, nga të cilat u sulmua qyteti.

Pas Shteteve të Bashkuara dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), thirrje për armëpushim të menjëherëshëm bëri edhe Rusia. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska është e gatshme të shërbejë si ndërmjetëse për ta zgjidhur këtë konflikt.

Dy ish-republikat sovjetike për një kohë të gjatë kanë qenë në konflikt për shkak të kufirit, kryesisht në rajonin me shumicë armene, Nagorno-Karabakh, ndonëse përleshjet e reja ndodhën rreth rajonit Tavush, në verilindje të Armenisë.

Share This Article