Ministria e Mbrojtjes e Armenisë ka thënë se një autobus civil është goditur nga një sulm me dron i forcave të Azerbajxhanit, duke e paralajmëruar vendin rival për kundërpërgjigje të ashpër.
Sipas përfaqësuesit të kësaj ministrie, Artsrun Hovhannisyan tha se forcat azere i vunë në cak ata që nuk janë luftëtarë në qytezën Vardenis të martën, duke publikuar fotografi për të cilat tha se janë dëshmi e pasojave të këtij sulmi.
Megjithatë, ministria njoftoi se për fat të mirë, askush nuk ndodhej në autobus në kohën e sulmit.
“Trupat armene do të jenë të detyruara të përdorin armatim me fuqi të madhe që përdoret për shkatërrim të madh dhe pa dallime të fuqisë njerëzore, prona mobile dhe statike pasi azerët kanë përdorur artileri me kalibër të madh dhe sistem për hedhje të shumëfishtë të raketave, Smerch”, tha ajo.
Vendet rivale filluan të përleshen ushtarakisht të dielën për shkak të rajonit të kontestuar të Nagarno-Karabakut. Dhjetëra ushtarë dhe disa civilë janë vrarë gjatë luftimeve deri më tani.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe fuqitë e mëdha, u kanë bërë thirrje këtyre vendeve që menjëherë të arrijnë armëpushim dhe mosmarrëveshjet që kanë mes vete t’i zgjidhin përmes bisedimeve.