“Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile” dyshohet të jenë përgjegjës për shumë krime të kryera në veriun e Kosovës. Pikërisht për këto dy organizata dyshohet të ketë qenë i destinuar arsenali i armëve i cili u kap para pak ditësh në një veturë në Zveçan. Këto pretendime i ka ngritur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Gjithë ky arsenal armësh që u zu në një veturë në Zveçan, dyshohet të ketë qenë në pronësi të dy organizatave të shpallura gjatë ditës terroriste nga Qeveria e Kosovës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, theksoi se kanë dyshime të bazuara mirë, se armët ishin të destinuara për “Brigadën e Veriut” dhe Mbrojtjen Civile”.
E, kudo që haset në pjesëtarë të këtyre dy grupeve, ish-ministri i brendshëm, Bejtush Gashi, thotë se duhet të ketë arrestime.
Njëjtë, sipas tij, duhet të veprojnë edhe ndërkombëtarët.
“Institucionet ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, kanë detyrimin që ndaj personave të cilët qeveria e Republikës së Kosovës i identifikon që janë pjesë të këtyre grupeve, përkatësisht ka fakte, atëherë edhe ata janë të detyruar dhe obliguar që personat e tillë t’i ndalojnë”, ka thënë Gashi.
Vlerësim të njëjtë edhe avokati Valdet Hoxha.
“Kjo nënkupton që menjëherë pushohet veprimtaria e atyre organizatave dhe çdo anëtar i asaj organizate është i dyshuar për vepra të ndryshme terroriste. Pra, mjafton vetëm të jesh anëtar i asaj organizate dhe të thirresh në përgjegjësi penale”, ka thënë Hoxha.
E, sipas ish-ministrit Gashi, këto grupe i shkaktuan shumë dëme Kosovës.
“Ekseset që kanë bërë këto grupe, të përgatitura dhe stërvitura mirë, kanë kriju një impakt të drejtpërdrejtë që Bashkësia Ndërkombëtare ta drejtoj te Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka theksuar se vendimin për t’i shpallur “Brigadën e Veriut” dhe “Mbrojtjen Civile” si organizata terroriste e kanë marrë në koordinim me ndërkombëtarët./Dukagjini/