Albania
Armët sekrete të James Bond, janë përdorur në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore
Studiuesi Erald Kapri, kohët e fundit është bërë shumë i njohur për shkak të dokumenteve të nxjerra nga arkivat Britanike dhe ka nxjerr shumë sekrete që deri sot nuk njiheshin.
Ai së fundmi ka botuar dhe librin e tij “Sekretet e luftës”, por sërish ka publikuar disa foto të disa armëve. Në një shkrim për newsbomb.al, Kapri shkruan se armët e James Bond janë përdorur në Shqipëri që në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
Nga Erald Kapri
Seriali Agjenti 007 është nga më të ndjekurit dhe më të dashurit e të apasionuarve pas shërbimeve sekrete dhe aventurave. Shkruesi i novelave të James Bond, Ian Fleming, punoi në shërbimet sekrete britanike dhe amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Agjenti 007 nuk do të kishte këtë famë pa armët dhe pajisjet e rralla që ai përdor për të shpëtuar shpesh nga situata të vështira.
Gjatë luftës u prodhuan në fshehtësi shumë armë sekrete nga britanikët dhe amerikanët që kryesisht u përdorën për luftën guerrile dhe në prapavijë kundër gjermanëve. Këto armë sekrete ishin frymëzimi që Fleming të shkruante novelat për agjentin 007.
Por shumë prej këtyre armëve janë përdorur edhe në Shqipëri, madje disa prej tyre u janë falur prijësve lokalë shqiptarë. Në librin “Sekretet e Luftës” gjenden detajet e plota të shumë prej aksioneve ushtarake dhe të spiunazhit që britanikët ndërmorë në Shqipëri në vitet 1943 dhe 1944.
Shumë prej këtyre armëve gjenden sot në muzeun perandorak të luftës në Londër dhe publiku i gjerë mund të njihet me armët sekrete të luftës.
Ky është një automatik amerikan i prodhuar në vitin 1942, Njihet si prototipi UD M42. Shumë pak armë të tilla u prodhuan dhe kjo armë nuk u bë standarde për ushtrinë amerikane. Po ashtu por dizajni i saj nuk iu dha hua askujt. Kjo armë përdorej nga oficerët britanikë në Shqipëri e cila të jepte siguri në luftimet ndaj armikut.

Një armë të tillë, oficeri britanik Dejvid Smajli ia dhuroi Baba Faja Martaneshit, një nga prijësit kryesorë të partizanëve në tetor 1943. Ai fotografoi Baba Fajën, i cili pas kësaj dhurate nuk e fshihte dot gëzimin.
Sten Gun ishte një automatik i lehtë që përdorej me mjaft lehtësi me karikator anash. Ai u dizenjua nga disa inxhinjerë polakë në Britani dhe filloi të përdorej gjatë luftës nga agjentët britanikë në terren. Një prej këtyre armëve ata ia falën në Shqipëri Dule Bej Alimanit, nga Lura i cili po ashtu ka pozuar për aparatin e Dejvit Smajlit.
Agjentët britanikë gjatë luftës në Shqipëri mbanin me vetë gjithnjë një valixhe dore, që në pamje të parë duket si valixhe për mjete pune apo për rroba. Por në fakt ajo valixhe mbante pajisjen e radios që ata komunikonin përtej detit me komandën e tyre. Kjo shpikje, nga më interesantet, ishte tepër e përdorur në Shqipëri.
Këtu është oficeri britanik Devis që po raporton me radio nga fshati Mukje në gusht të vitit 1943. Ai përdor të njëjtën valixhe sekret me radion speciale.
Lapsi vrasës ishte një tjetër gjetje e shërbimeve sekrete. Brenda një lapsi të vogël gjendej një thikë vdekjeprurëse, e cila në rast rreziku mund të të shpëtonte jetën. Me dorë thyhej maja e lapsi e më pas ai kthehej në një armë të vërtetë.
Pistoleta e heshur u prodhua për shërbimet sekrete për të kryer vrasje në distantë të ulët pa zhurmë.
Pistoleta sinjalizuese ishte një tjetër shpikje gjatë luftës që agjentët e përdornin për të sinjalizuar pozicionin e tyre në terren, veçanërisht kur prisni furnizimi nga ajri. Këtu është fotografuar oficeri britanik Bishop në Shqipëri në vitin 1944 i cili ka bërë gati këtë pistoletë për ta përdorur.
Stilolapsi tymues ishte një tjetër armë që u përdor në Shqipëri. Në pamje të parë dukej si një stilolaps i zakonshëm por nëse shtypej nga sipër, ai lëshonte një sasi të madhe tymi duke u kthyer në një bombë tymuese të vërtetë.
Pistoleta vrasëse Uelrod u prodhua për të kryer vrasje pa u ndier. Ajo është tepër e vogël dhe duket si një tub, që ka një buton sipër për një plumb të vetëm.
Pistoleta Ualther PKK ishte e preferuara e James Bondit, kjo për shkak se është tepër efektive, e vogël dhe nuk bllokohet. Por kjo pistoletë ishte mjaft e përdor nga agjentët sekret të ushtrisë britanike gjatë luftës.
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
Albania
“Kemi raketa Javelin dhe tre anije patrulluese”, Rama: Kemi sot ushtrinë më të mirëpaguar, ia kalojmë edhe Serbisë
Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, kryeministri Edi Rama foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.
Ai u shpreh se vendi ynë ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese.
Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke ia kaluar kështu edhe Serbisë.
“Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa I përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.
Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.
Albania
Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë
Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.
Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.
Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova21 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
