Ish-kampioni i UFC-së, BJ Penn, publikoi një video të takimit të tij të çuditshëm me policinë në Hawaii, pasi u tërhoq zvarrë nga shtrati dhe u arrestua gjatë fundjavës.
Sipas TMZ Sports, Penn, i cili ka fituar tituj në dy kategori peshe në MMA, u dërgua në burgun e Hilo-s rreth orës 9:40 të mbrëmjes të dielën me akuzën për “dhunë në familje: kontakt fizik abuziv”.
Të dhënat e policisë së Havait tregojnë se 46-vjeçari u lirua me një garanci prej 2,000 dollarësh në orën 1:48 të mëngjesit të së hënës, megjithëse detaje të mëtejshme rreth arrestimit nuk janë ende të disponueshme.
Pak më shumë se 24 orë pas arrestimit të tij, Penn postoi një video në Instagram që duket se e tregon atë duke u përballur me oficerët në shtrat, në pronën e tij në Hawaii.
Disa oficerë policie shihen duke u përpjekur ta nxjerrin nga shtrati ish-mbretin e peshave të lehta dhe ‘welterweight’, duke i thënë se po arrestohej për “ngacmim”.

Penn, i cili dëgjohej duke kërkuar që të thirrej “një oficer policie që ai njeh” për të qetësuar situatën, refuzoi të shkonte me oficerët dhe shprehu vazhdimisht konfuzion për atë që po ndodhte.
Incidenti u filmua nga sportisti brazilian i ‘jiu-jitsu’, Pete “Grk” Letsos, i cili në të njëjtën kohë kërkoi të dinte pse po arrestohej shoku i tij.
Ndryshe, Penn është përballur me probleme ligjore disa herë vitet e fundit, dhe luftëtari kohët e fundit bëri një pretendim të pazakontë se anëtarë të familjes së tij u vranë dhe u zëvendësuan nga “mashtrues të rremë”.