Gjykata e Prishtinës ka vendosur të zgjasë me 2 muaj masën e arrestit shtëpiak për ish-efektivin e policisë, Dejan Pantiç, arrestimi i të cilit shkaktoi protestat e serbëve në veri të Kosovës dhe bllokimin e kësaj zone me barrikada për më shumë se 20 ditë.
Pas këtij vendimi, Dejan Pantiç do të qëndrojë në arrest shtëpie deri më 9 mars, ndërkohë që po hetohet për veprime terroriste kundër rendit kushtetues.
Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiç, më 10 dhjetor, në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin se ai ka sulmuar zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës në Zubin Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, më 6 dhjetor.
Ai qëndroi për disa ditë në burg, por më pas gjykata ndryshoi masën e tij të sigurisë, vendim ky që solli dhe reagimin e krerëve të shtetit të Kosovës.
Po atë ditë, autoritetet e Serbisë u kërkuan serbëve të veriut të Kosovës që të tërhiqeshin nga barrikadat.