Kryeministri Edi Rama duke folur nga Tirana në kuadër të turit falënderues pas zgjedhjeve vendore të 14 majit ka deklaruar se çdokush i kapur në korrupsion duhet të përballet me drejtësinë.
Duke iu referuar rastit të arrestimit nga SPAK të ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e akuzuar për korrupsion, Rama theksoi se persona të tillë janë të padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti.
“Para pak orësh dëgjova për një situatë që të vë në siklet, një sekretare e përgjithshme kapet duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo. Natyrisht që ana e pëlqyeshme e kësaj medaljeje kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti.
Uroj që të ketë sa më shumë të tilla por s’mund të uroj që sa më shumë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë dhe mungesa e sensit të detyrës dhe etikës në pikën që një detyrë të rëndësishme dhe të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se qeveria e drejtuar prej tij s’mund të vazhdonte avazin e vjetër duke mbrojtur njerëzit që duhet të jenë pëpara drejtësisë.
“Ne e kemi hapur vetë këtë kuti të pandorës sepse nuk e kemi pranuar përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi duke e mbajtur këmbën te kapaku i asaj kutie për të vazhduar avazin e shekujve të njerëzve që nuk janë thirrur asnjëherë nga drejtësia. Këtë bërë ne. 100 herë të kthehesha mbrapa 100 herë do bëja të njëjtën gjë”, theksoi kryeministri.
Në këtë mënyrë, ai kërkoi që të zgjedhurit vendorë dhe të gjithë ata që kryejnë detyra ekzekutive apo që kanë raport me qeverisjen dhe administratën duhet të drejtohen kah shërbimit të qytetarëve.
“Ajo që mund të bëjmë ne 100 për qind është begenisja e njerëzve. Është krijimi i një raporti me njerëzit të ndjehen të repsektuar dhe të dëgjuar. Jo çdo gjë mund të plotësohet por çdo gjë mund të diskutohet. Besoj se ju e keni eksperiencën e njëjtë.
Nëse ju zgjidh një hall ke një faleminderit, nëse ju qan një hall ke 10 faleminderit. Ne duhet të jemi të kujdesshëm për këtë pikë. Kjo vlen për ata që kanë një mandat për të drejtuar dhe për drejtuesit në nivele ekzekutive.
Në këtë pikë ne duhet të mendojmë realisht se si ky borxh i madh që na është dhënë të shlyhet deri në një farë mase dhe deri në një farë mase duhet të shlyhet”, shpjegoi Rama.