Dy persona të dyshuar shqiptarë janë arrestuar në Calais të Francës, pasi u kapën duke tentuar të hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, të fshehur në pjesën e pasme të një kamioni, ndërkohë që njëri prej tyre dyshohet se mbante edhe një pistoletë me silenciator.
Sipas raportimit të Daily Mail, arrestimi ndodhi të premten, në momentin kur kamioni po përgatitej të hipte në një traget drejt Britanisë.
Një burim hetues ka bërë të ditur se gjatë kontrollit është gjetur armë zjarri me silenciator të bashkangjitur.
“Njëri mbante një pistoletë me silenciator të bashkangjitur. Oficerët e armëve të zjarrit kryen arrestimet pa u lënduar askush”, ka deklaruar burimi.
Sipas të njëjtit raportim, ekzistojnë dyshime se të arrestuarit mund të kenë lidhje me botën e krimit dhe se synonin të takoheshin me figura të tjera të krimit shqiptar në Britani.
Zëvendësprokurori i Boulogne, Patrick Leleu, ka konfirmuar se janë kryer gjithsej tre arrestime, përfshirë edhe shoferin e kamionit.
Ai bëri të ditur se janë nisur dy hetime: një për posedim të një arme të ndaluar, dhe një tjetër ndaj shoferit për ndihmë dhe inkurajim të migrimit të paligjshëm.
Ndërkohë, rruga e migrimit ilegal përmes Kanalit Anglez është lidhur shpesh me emigrantë shqiptarë, të cilët në shumë raste aplikojnë për azil, pavarësisht se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt.
Sipas analizave të publikuara më herët, numri i shqiptarëve që hynë në Britani përmes Kanalit u rrit ndjeshëm në vitin 2022, me mbi 17 mijë aplikime për azil, ndërsa deri në vitin 2024 kjo shifër kishte rënë në më pak se 3 mijë.
Autoritetet franceze dhe britanike vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe qëllimin e të dyshuarve./Albinfo.ch


