Policia indiane ka arrestuar një 47-vjeçar i cili akuzohet se drejtonte një ambasadë të rreme nga një ndërtesë banimi me qira në periferi të kryeqytetit. Ai prezantohej si ambasador dhe mashtronte qytetarë duke u premtuar punësim jashtë vendit në këmbim të shumave të konsiderueshme parash.
Sipas një deklarate zyrtare nga forca speciale e shtetit Uttar Pradesh, Harshvardhan Jain pretendonte se ishte përfaqësues diplomatik i vendeve të paekzistueshme si ‘Seborga’ apo ‘Westarctica’. Ai kishte krijuar një identitet të rremë si ‘ambasador’ apo ‘këshilltar ndërkombëtar’ dhe kishte ndërtuar imazhin e tij përmes fotografive të manipuluara me liderë botërorë, vula të falsifikuara të Ministrisë së Jashtme të Indisë dhe mbi 30 vendeve të tjera.
Gjatë operacionit të policisë, në ambientet e tij janë sekuestruar:
Katër automjete me targa diplomatike të falsifikuara
4.5 milionë rupi indiane (afro 38 mijë paund britanikë) dhe valutë të huaj në cash
Flamuj të ndryshëm ndërkombëtarë që stolisnin ndërtesën
Autoritetet dyshojnë gjithashtu se Jain ishte i përfshirë në pastrim parash përmes kompanive fiktive jashtë vendit. Ai tashmë përballet me disa akuza të rënda, përfshirë falsifikim dokumentesh, mashtrim, personifikim dhe krijim të institucioneve të rreme.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia apelon për qytetarët që mund të jenë viktima të këtij mashtrimi të raportojnë rastet e tyre.