Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është arrestuar sonte nga Policia e Kosovës.
Ai është arrestuar derisa po shkonte në një emision televiziv.
Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës.
Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë.
Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka folur për arrestimin e kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj, nga Policia e Kosovës përpara studios së një televizioni.
Kuçi tha se arrestimi i tij është i kundërligjshëm, ku tha se u është konfirmuar që s’ka fletarrest për Dardan Molliqajn.
“Dardani, që dy ditë ka qenë në zyrat e PSD-së, ka qenë sot në takime dhe vende të tjera. Pra, është e kundërligjshme sepse s’ka flet-arrest për të, këtë sapo na konfirmoi që s’ka fletarrest”, tha Kuç.

