Policia kolumbiane ka arrestuar 23-vjeçaren Karen Julieth Ojeda Rodríguez, e njohur për autoritetet lokale si “La Muñeca” ose “Kukulla” në shqip, e cila akuzohet për një sërë vrasjesh që dyshohet se ka kryer në emër të organizatës kriminale Los. de la M.
Mes viktimave të “killeres” kolumbiane, sipas mediave vendase, është edhe ish-partneri i saj, Davy Jesus, i cili u vra korrikun e kaluar në një pritë në zonën e Piedequesta.
Ojeda Rodriguez, e konsideruar nga disa si vrasësja më e rrezikshme në rajonin e Santander, u arrestua së bashku me dy nga bashkëpunëtorët e saj të dyshuar në një operacion të madh policor. Atyre iu gjetën armë, të cilat u dërguan për analiza balistike.
Sipas informacioneve të autoriteteve, 23-vjeçarja kishte nisur të zgjeronte aktivitetin e saj kriminal, duke marrë një rol drejtues në një rrjet vrasësish me pagesë që përhapnin terror në zonë.
Vrasja e ish-partnerit të saj, Davy Jesus, tregon se sa e pamëshirshme ishte 23-vjeçarja.
Jesus thuhet se mori një telefonatë nga Ojeda Rodriguez, e cila i kërkoi të takohej për të zgjidhur një mosmarrëveshje financiare. Gjatë përplasjes, dy persona me motor e qëlluan për vdekje, një goditje që dyshohet se e kishte porositur vetë “Kukulla”.
Arrestimi i Ojeda Rodríguez rikthen në plan të parë problemin e rritjes së dhunës në Santander, me kryeqytetin e tij, Bucaramangaqë regjistron mesatarisht një vrasje në çdo tre ditë.
Sipas policisë së Bucaramanga, 30 vrasje u regjistruan vetëm në tremujorin e parë të vitit 2024. Këto krime kryhen kryesisht në kontekstin e “larjes së hesapeve” nga bandat.