Astrit Avdylaj bie në pranga. Kreu i grupit kriminal të Shijakut u rrethua në shtëpinë e tij. Policia tha se e gjeti të armatosur në momentin e arrestimit. Gjykata e Posaçme ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
“Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Forcave Speciale RENEA e zhvilluan operacionin në masa të larta sigurise, bazuar në inteligjencën policore për vendodhjen e një të shumëkërkuari me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit 50-vjeçar me incialet A.A.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Para pak javësh nisi operacioni “Revanshi” për të cilin u lëshuan 50 urdhër-arreste. Edhe ky ndaj Astrit Avdylajt u pre në kuadër të këtij hetimi që u finalizua me goditjen e 7 grupeve kriminale. Hetimet “për këtë dosje nisën pas zbardhjes së bisedave nga “SkyECC” dhe “EncroChat”. Sipas tyre, grupi i Avdylajve në Shijak bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë. Referuar komunikimeve në platformat e enkriptuara, Avdyli rezulton se kontaktohej nga ish-deputeti Arben Ndoka për gjetjen e personave që do të eleminonin fiziksht Durim Bamin dhe vëllanë e tij, Valter Bami.
SPAK e akuzon Avdylajn për “sigurim kushtesh per vrasje”, “grup të struktruar kriminal” dhe “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Emri i Astrit Avdylajt mori jehonë të gjerë publike pranverën e vitit 2019, kur u publikuan nga gazeta “Bild” përgjimet e dosjes “339”, seksionit që lidhej me zgjedhjet e vitit 2017. Mbështetur në këto përgjime, opozita akuzoi kryebashkiakun Vangjush Dako se ka bashkëpunuar me grupin kriminal Avdylaj për të blerë vota apo ushtruar presion në fushatë.
Ndaj grupit Avdylaj ka pasur akuza për drogë, vrasje dhe prostitucion. Vëllai i Astrit Avdylajt, Altini, u arrestua në vitin 2018 për llogari të një seksioni tjetër të dosjes së famshme “339”. Bëhet fjalë për operacionin “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet në Has.