Dy raketat balistike të lëshuara së fundmi nga Koreja e Veriut, u pa nga ekspertët si dëshmi se arsenali ushtarak i Kim Jong-un është në rritje, dhe kjo përbën kërcënim për Korenë e Jugut, Japoninë dhe madje edhe kontinentin e SHBA-së.
Koreja e Veriut mund të ketë më shumë se 60 armë bërthamore, sipas vlerësimeve të analistëve, dhe ka provuar me sukses raketa që mund të godasin edhe Shtetet e Bashkuara. Veçanërisht Japonia e konsideron Korenë e Veriut si një kërcënim të madh ndaj sigurisë dhe paqes në vend, pasi ushtria e Kim Jong-un ka demonstruar më parë se ka madje edhe bomba të barabarta me madhësinë e bombës së Hiroshimës, që vrau 70 000 njerëz.
Tetorin e kaluar, Koreja e Veriut shfaqi raketën e saj më të madhe deri më tani, në një platformë lëvizëse gjatë një parade ushtarake, aftësitë reale të së cilës mbeten të panjohura. Koreja e Veriut ka testuar me sukses bombat bërthamore në gjashtë raste, në 2006, 2009, 2013, dy herë në 2016 dhe në 2017, që në çdo provë janë rritur në fuqi, deri në 250 kiloton.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut, ushtria e Koresë së Veriut përbëhet nga 4300 tanke, 2600 automjete të blinduara, 430 anije luftarake, 70 nëndetëse, si dhe 810 aeroplanë luftarakë. Kur bëhet fjalë për armët konvencionale, ato të Veriut janë më të vjetra dhe më pak të avancuara, gjithsesi kërcënimi mbetet i vazhdueshëm, sidomos për Korenë e Jugut.
Përdorimi i të gjithë kësaj artilerie, së bashku me raketat bërthamore, padyshim do të shkaktonte një krizë të madhe humanitare.