Arsenali ka vazhduar me ndeshje të mira dhe me fitore në elitën e futbollit anglez Ligën Premier.
Lideri aktual i kampionatit anglez të dielën pasdite mposhti Crsytal Palacen në derbin londinez me rezultat të thellë 4-1.
Edhe në këtë duel ishte mesfushori nga Kosova, Granit Xhaka që realizoi njërin nga golat dhe bëri një paraqitje të jashtëzakonshme gjatë 90 minutave sa qëndroi në fushë.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta nuk i ka kursyer lëvdatat për mesfushorin prishtinas, duke thënë se ka fituar besimin dhe është gjithmonë në vendin e duhur në fushë.
“Ajo që ka ndryshuar tek Granit Xhaka është se ai ka nisur të fitojë sërish besimin. Është në vendin e duhur në fushë dhe tashmë gjendet në vendin e duhur në kohën e duhur”, tha Arteta.
Trajneri spanjoll ka zbuluar se i ka thënë para ndeshjes Granitit se do të shënonte ndaj Crystal Palace.
“Para sfidës i thashë se do të shënonte sërish sepse është me mentalitetin e duhur”, tha Arteta që në fund deklaroi se për të Xhaka ka qenë fenomenal gjatë këtij sezoni.
“Këtë mund ta shohësh shumë lehtë në mënyrën si po stërvitet, gjëra të mira do të vijnë për Xhakën. Për mua ai është shfaqur fenomenal për të gjithë sezonin”, u shpreh Arteta.
Arsenali është lider në Ligën Premier me 69 pikë, shtatë më shumë se Man City që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërkohë sa i përket Xhakës, reprezentuesi i Zvicrës është duke kaluar sezonin më të mirë në karrierë, ku në 38 ndeshje zyrtare në të gjitha garat deri më tani ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar në pesë të tjerë.