Një spital në Brooklyn ka marrë një dhuratë të veçantë këtë javë – 1,800 piktura me lule, nga një për secilin punëtor.
Pikturat u realizuan dhe u dhuruan nga artisti nga Los Angeles, Michael Gittes, punimet e së cilit më parë janë shfaqur në galeritë e Londrës dhe Nju Jorkut si dhe në zonën e demilitarizuar mes dy Koreve, shkruan “CNN”.
“Në kulmin e pandemisë, Michael-i e pati këtë ide të mrekullueshme për të dhuruar një pikturë për secilin punëtor në një spital, më saktësisht në Nju Jork, sepse Nju Jorku ishte duke luftuar më së shumti”, tha Eli Bronner, menaxher i artistit.
Ata kërkonin një spital jofitimprurës që kishte repart të kujdesit intensiv për pacientët me koronavirus. Spitali duhej të ishte mjaftueshëm i vogël që artisti të mund të bënte nga një pikturë për secilin anëtar të stafit, nga mjekët deri te rojet e sigurisë.
Sipas Bronner-it, artisti dëshiroi që ta luftonte ndjenjën e mungesës së përkrahjes, të shkaktuar nga pandemia, dhe ta përdorte artin e vet për t’i nderuar punëtorët shëndetësorë.
Përmes këtij projekti është synuar që t’u thuhet mjekëve dhe infermierëve se ata i do bota përderisa po luftojnë në këtë luftë të vështirë.