Intervista e Meghan që akuzon familjen mbretërore për racizëm lë vend për mosbesim dhe tmerr, mendon Jochen Buchsteiner (FAZ).
Tani të gjithë të interesuarit dhe shumë të tjerë, dëgjuan variantin “Meghan” të historisë. Sipas saj dukesha e Sussex-it dhe i shoqi, Princ Harry, u larguan nga familja mbretërore, sepse ajo tregohet e ftohtë ndaj atyre që bëhen pjesë e familjes për shkak të martesave, i injoron thirrjet e tyre për ndihmë dhe përhap të pavërteta rreth tyre.
Por akuza që provokon më tepër dhe shkakton si mosbesim dhe tmerr është ajo për racizëm. Fjala tmerr do të jetë vërtet me vend, nëse është e vërtetë që “dikush nga familja mbretërore” paska shprehur në bisedat me Princ Harryn shqetësim lidhur me ngjyrën e lëkurës së djalit të tij, kur Meghan ishte shtatzënë.
Motive të paqarta
Se çfarë e motivoi Meghanin për ta bërë publike këtë akuzë gjysmë anonime, vetëm ajo e di. Ajo do t’i ketë llogaritur pasojat jo vetëm për marrëdhëniet breda familjes, por edhe për reputacionin e familjes mbretërore në botë.
=Intervistuesja e famshme amerikane, Oprah Winfrey, e cila zhvilloi bisedën skandaloze, nxitoi pas transmetimit të saj të bënte të qartë dhe të fshinte çdo lloj dyshimi, se të ftuarit e saj kishin folur për Mbretëreshën ose të shoqin Philipin.
Melodramë në Buckingham
Megjithatë sipas fjalëve të një deputeti të konservatorëve në Parlamentin Britanik me intervistën e tyre dukesha e Sussex-it dhe i shoqi, Princ Harry, kishin “shpërthyer një bombë atomike”. Brenda natës, një telenovelë familjare u kthye në një çështje të vogël shtetërore.
Madje dhe kryeministri Boris Johnson u ndie i detyruar të deklarojë se “në shoqërinë britanike nuk ka vend për racizëm” – pra as edhe në radhët e familjes mbretërore. Partia Laburiste i kërkoi madje Pallatit të Buckinghamit të hetojë akuzat kundër familjes mbritërore.
Deri tani Pallati mbretëror po heton vetëm ankesat e brendshme kundër dukeshës së Sussexit, Meghanit, sipas të cilave thuhet se gjatë kohës që jetonte në pallantin Kensington ajo kishte fyer dhe poshtëruar punonjësit, veçanërisht punonjëset femra.
Ditët e ardhshme do të shihet nëse familja mbretërore do të mund të vazhdojë kursin e saj tradicional “kurrë mos u anko, kurrë mos shpjego”.