Partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë akuzuar BDI-në, se si pasojë e ryshfetit nga zyrtarët e tyre, qytetarët e RMV-së do të duhet t’i kthejnë BE-së 1.2 milionë euro.
ASH-AAA përmendin rastin e Jahi Jahiut, ish-sekretar shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe funksionar i BDI-së, i cili para dy viteve u arrestuar për mitmarrje prej 38 mijë eurove.
“Hajnia dhe korrupsioni i funksionarëve të BDI-së tashmë është i njohur edhe në Bashkimin Evropian. Rasti ‘Jahi Jahiu’, ish Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe funksionar i BDI-së, para dy viteve u arrestua për mitmarrje prej 38 mijë euro dhe më pas u la i lirë në rrethana të dyshimta”.
“Arrestimi kishte të bëjë me kurdisje të tenderit për projekt të financuar me taksat e qytetarëve nga vendet e Bashkimit Evropian, që njihen si IPA FONDE. Përveç që përbën skandal, pas hetimeve të përfunduara, sipas ligjeve të BE-së, shteti ynë do të duhet t’i kthejë të gjitha paratë aq sa ishte edhe granti i ndarë në vlerë prej 1.2 milion euro. Granti për tenderin në fjalë duhet kthyer dhe pasojat për këtë do t’i paguajnë qytetarët. Kjo i bie që për një hajn të BDI-së, i quajtur Jahi Jahia, i cili ka marrë 38.000 euro ryshfet në një tender evropian, qytetarët tani duhet t’ia kthejnë BE-së 1.2 milion eurot e kontratës korruptive”, thonë nga ASH-AAA.
Gjithashtu apelojnë tek organet e drejtësisë që të gjykohet rasti dhe të dënohet personi në fjalë, kurse fatura duhet t’i shkojë partisë së tij, e jo të dënohen qytetarët më të varfër të Evropës.
“Mjaft jemi vjedhur e dënuar nga BDI për 20 vjet! Ndëshkim dhe jo falje, drejtësi dhe jo korrupsion. Është koha e fundit që të fillojë të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës”, thuhet në njoftimin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.