Mbretëria e Bashkuar (MB) po planifikon të ashpërsojë rregullat e imigracionit për personat, që mbërrijnë nëpërmjet rrugëve të paautorizuara.
Pritet të ashpërsohen rregullat për të gjithë personat që mbërrijnë në MB, në mënyrë të paligjshme, për të kërkuar azil me kamionë apo me anije.
Sekretarja e Brendshme e MB-së, Priti Patel, deklaroi se kërkesat e azilkërkuesve, që mbërrijnë në Britani në forma të organizuar apo të sponsorizuar, do të merren në konsideratë menjëherë. Ajo tha se do t`u jepet mundësia për të qëndruar në MB.
Në të kundërt, këtyre personave do t’u jepet leje e përkohshme për të qëndruar. Ata do të marrin përfitime të kufizuara dhe do të vlerësohen rregullisht për largimin nga MB-ja.
“Njerëzit po vdesin nëpër dete, në kamionë dhe në kontejnerë transporti. Që të ndalojmë fatalitetet, duhet të ndalojmë tregtinë me njerëzit që i shkaktojnë”, tha Patel.
Grupet e refugjatëve dhe avokatët e imigracionit thonë se ky plan diskriminon padrejtësisht refugjatët bazuar në mënyrën se si ata arritën në MB.
“Propozimet në mënyrë efektive krijojnë një sistem të padrejtë me dy nivele. Çështja e dikujt dhe mbështetja që ata marrin gjykohet nga mënyra sesi ata hyjnë në vend dhe jo nga nevoja e tyre për mbrojtje”, deklaroi Mike Adamson, drejtori ekzekutiv i Kryqit të Kuq Britanik.
“Kjo është çnjerëzore”, vijoi ai.
Sekretarja e Brendshme e MB-së saktësoi se ndryshimet janë të nevojshme për të ndaluar rrjetet e paligjshme të kontrabandës së njerëzve. Sipas tij, këto ndryshime do ta bëjnë sistemin më të drejtë, sepse nuk do t’u japë përparësi atyre që mund të paguajnë për kalimin e tyre.
“Do të krijojmë rrugë të sigurta dhe ligjore për t’u dhënë mundësi njerëzve të vijnë në MB në një mënyrë të sigurt”.
Refugjatët dhe imigrantët kanë përdorur për vite me radhë Francën veriore si një pikë nisje për të arritur në MB. Kryesisht ata janë nisur me kamionë, tragete, ose në anije të vogla të organizuara nga kontrabandistët e njerëzve.
Në vitin 2020, rreth 8 mijë e 500 njerëz mbërritën në Britani, duke kaluar kanalin e “la Manche” me anije të vogla. Disa prej tyre ndërruan jetë në ujërat e ftohta, në përpjekje për të mbërritur në MB.