Liverpooli dhe Manchester City kanë barazuar 1-1 në derbin e zhvilluar në kuadër të javës së 28-të në Ligën Premier.
Rasti i parë në ndeshje u krijuar nga The Reds, kur rrezikuan me anë të Conor Bradleyt në minutën e 14-të, por që gjuajtja e tij shkoi afër shtyllës së majtë.
Liverpooli e tundi rrjetën me anë të Luiz Diaz (19’), por që gjyqtari anësor e ngriti flamurin për pozicion jashtë loje.
Man City filloi të tregonte më shumë nga loja, ndërsa ndëshkuan vendasit me golin e John Stones në minutën e 23-të, me asistimin e Kevin de Bruynes.
Rast tjetër të mirë për Liverpoolin lëshoi edhe Harvey Elliott (32’), që nuk arriti të realizonte nga afërsia.
Diaz bëri një huqie të madhe në minutën e 42-të, kur nuk arriti të shënonte përballë portierit.
Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, që realizuan për 1-1 me anë të Alexis Mac Allister, që shënoi nga penalltia e fituar prej Darwin Nunez.
Nga kjo penallti e fituar nga uruguaiani, Ederson mbeti i lënduar, ndërsa në vend të tij u fut Stefan Ortega (56’).
Luiz Diaz sërish lëshoi një mundësi të artë shënimi, pasi në minutën e 63-të nuk arriti të mposhte Ortegan kur ishin ballë për ballë.
Në minutën e 71-të, Nunez tentoi të mposhte Ortegan, por që ky i fundit bëri pritje të mrekullueshme, ndërsa tre minuta më vonë, në anën tjetër – Foden goditi shtyllën.
Arsenali është lider i ri në Ligën Premier pas javës së 28-të me 64 pikë, aq sa ka edhe Liverpooli, ndërsa Man City ka një më pak.
Në javën e 29-të, Liverpooli e ka shansin që të rikthehet në krye me një fitore të mundshme ndaj Brightonit, pasi Arsenali dhe Citizens do kenë punë me njëra-tjetrën.