Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka reaguar sërish lidhur me konfliktin Izrael-Hamas, ndërsa është shprehur se SHBA po mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.
Blinken është shprehur në një deklaratë për mediat ne Kajro, se “shpreson që Izraeli të përgjigjet në një mënyrë që pohon vlerat e përbashkëta që kemi për jetën njerëzore dhe dinjitetin njerëzor”, duke nënkuptuar këtu shmangien e goditjeve të civilëve.
“Mënyra se si Izraeli e bën këtë ka rëndësi. Duhet ta bëjë atë në një mënyrë që të afirmojë vlerat e përbashkëta që kemi për jetën njerëzore dhe dinjitetin njerëzor, duke marrë çdo masë paraprake të mundshme për të shmangur dëmtimin e civilëve,” tha ai. “Civilët nuk duhet të vuajnë për mizoritë e Hamasit”, u shpreh Blinken, sipas CNN.
I pyetur nëse SHBA-të do t’i dilnin në mbrojtje Izraelit në rast të një përshkallëzimi, Blinken tha se “nuk mendoj se mund të jemi më të qartë se sa kemi qenë, se kur bëhet fjalë për sigurinë e Izraelit, ne kemi shpinën e Izraelit. Ne do të qëndrojmë me të sot, nesër dhe çdo ditë.”
Më tej Blinken siguroi se grupet e sulmit amerikan të mobilizuar në rajon nuk kanë për qëllim “të provokojnë askënd, por të dërgojnë një mesazh shumë të qartë parandalimi, se askush nuk duhet të bëjë asgjë që e zgjeron këtë konflikt në asnjë mënyrë, ose që nxit agresionin kundër Izraelit nga çdo drejtim tjetër”.
“Askush nuk duhet të bëjë asgjë që mund t’i shtojë benzinë zjarrit në ndonjë vend tjetër”, theksoi sekretari amerikan.