Media e njohur italiane investigative ‘Le Lene’ ka publikuar pamje nga aksioni i ndërmarrë nga autoritetet shqiptare kundër një rrjeti call-centerash në Tiranë, të dyshuar për mashtrimin e shtetasve italianë dhe europianë përmes investimeve fiktive në kriptomonedha.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale dëgjohen momentet e ndërhyrjes së forcave të rendit, ku punonjësve u kërkohet të mos lëvizin dhe të mbajnë duart mbi tavolinë, teksa kryhen arrestimet në kullën luksoze në qendër të Tiranës.

Si rezultat i operacionit, 8 persona janë vënë në pranga, ndërsa janë shpallur në kërkim tre vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të dyshuar si organizatorë të aktivitetit kriminal.
Operacioni është zhvilluar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ku janë ushtruar kontrolle në të paktën 28 ambiente të ndryshme, përfshirë zyra, banesa, automjete dhe ambiente ndihmëse. Gjatë veprimeve hetimore, autoritetet kanë zbuluar edhe një tjetër qendër thirrjesh në katin e pestë të godinës, e cila rezultonte ende në fazë ndërtimi.

Nga kontrollet janë sekuestruar pajisje të shumta elektronike, përfshirë kompjuterë, laptopë, telefona celularë, hard disqe, karta SIM, serverë dhe pajisje të rrjetit kompjuterik, si dhe dokumentacion dhe shënime që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e subjekteve nën hetim, mes tyre edhe kompania “Infinite” shpk.
Po ashtu, janë sekuestruar sisteme monitorimi me kamera sigurie, mjete të ndryshme transporti, motomjete, si dhe një automjet luksoz Ferrari, që dyshohet se përdorej nga drejtuesit e këtij aktiviteti kriminal.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të skemës së mashtrimit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet i janë referuar organeve të drejtësisë për veprime të mëtejshme.

