Forcat ruse nuk po shohin “asnjë përparim” në një ofensivë kyçe, ndërsa kërkojnë të bëjnë përparime në rajonin e Donetskut të Ukrainës, sipas ish-komandantit rus Igor Girkin.
Sipas Newsweek, Girkin, një nacionalist rus që u bë i njohur gjatë aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, postoi përditësimet më të fundit nga vija e parë e luftës në Ukrainë.
Bëhet fjalë për njeriun i cili, megjithëse ka shprehur mbështetje për qëllimet e luftës në Ukrainë, ai është bërë gjithnjë e më kritik ndaj lidershipit të Kremlinit teksa pushtimi ka ngecur që nga fillimi, shkurtin e kaluar.
Ndryshe, pas më shumë se një viti të luftës, luftimet mbeten kryesisht të përqendruara në Ukrainën Lindore, duke përfshirë Donetsk, një nga dy rajonet që përbëjnë Donbasin, ndërsa trupat e Putinit luftojnë për të arritur fitore të konsiderueshme.
Trupat ruse synojnë të marrin nën kontroll disa qytete në këtë rajon, përfshirë Avdiivkën.
Megjithatë, përparimi i Rusisë në Avdiivka duket se po ngadalësohet, sipas Girkin.
“Nuk ka pasur asnjë përparim në dy ditët e fundit. Forcat e Armatosura të Ukrainës gjithashtu pësojnë humbje të mëdha, por … kjo betejë është e dobishme për ta. Sepse u lejon trupave të tyre të luftojnë, duke u mbështetur në strukturat mbrojtëse që janë ndërtuar për gati 9 vjet”, ka shkruar Girkin në postimin e tij në Telegram.
Megjithatë, ai tha se beson se trupat ruse po bëjnë më shumë përparime në Bakhmut, vendi i disa prej luftimeve më intensive të luftës Rusi-Ukrainë.
Por pavarësisht deklaratës së Girkinit, të tjerë kanë treguar se përpjekjet ruse për të marrë qytetin janë ngadalësuar.
Inteligjenca britanike sugjeroi se numri i sulmeve të reja ruse në qytet ra për shkak të një “shterimit” të trupave në fillim të marsit. /Telegrafi/