Presidenti i vendit Ilir Meta i jep sërish vëmendje çështjes së teatrit. Në një reagim të dytë, brenda pak orësh, ndëra kishte kujtuar se kjo çështje ishte çuar prej tij në Gjykatën Kushtetuese, Meta përmend sërish këtë institucion, ndërsa kërkon që Këshilli i Ministrave dhe Bashkia të mos ndërmarrin tjetër veprim lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar.
“Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar”, thotë Meta në reagimin e tij, ndërsa kujton se objekti i Teatrit Kombëtar në datën 24 mars 2020 është listuar në objektet e trashëgimisë europiane.
“Vijimi i kësaj veprimtarie shtetërore për prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar në këtë moment, do të dëmtonte rëndë imazhin dhe kredencialet e vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe familjen europiane, sidomos në kushtet kur objekti i Teatrit Kombëtar në datën 24 mars 2020 është listuar në objektet e trashëgimisë europiane, duke shënuar kështu udhëtimin europian të kësaj qendre të kulturës shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar. Organizata Europa Nostra e mbështetur nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian e ka vlerësuar këtë godinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo veprimi mbi të nga institucionet shqiptare. Ti kundërvihesh një mbështetje të Bashkimit Europian në Ditën e Europës, është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vlerave për të cilat kemi 30 vjet që përpiqemi të përqafojmë”, deklaron Presidenti duke përfunduar se mungesa e reflektimit do ta detyrojë t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, këtë radhë edhe për vendimin e datës 8 Maj.
“Çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të”, thotë Meta.