Bashar al-Assad dhe familja e tij po jetojnë një jetë të izoluar luksi në Rusi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pas rrëzimit të regjimit në Siri. Burime pranë familjes bëjnë me dije se Assad po rifreskon njohuritë në mjekësi dhe po studion gjuhën ruse. Ndërkohë, autoritetet ruse i kanë ndaluar çdo aktivitet politik apo mediatik.
Pas rrëzimit nga pushteti dhe largimit të fshehtë nga Damasku, ish-presidenti sirian Bashar al-Assad dhe familja e tij po jetojnë një jetë të izoluar dhe luksoze në Moskë, larg vëmendjes publike dhe politikës ndërkombëtare.
Sipas burimeve pranë familjes, Assad, i diplomuar si oftalmolog në Londër, po rikthehet te pasioni i tij i vjetër për mjekësinë, duke ndjekur kurse dhe duke rifreskuar njohuritë profesionale. Ai po studion gjithashtu gjuhën ruse, megjithëse thuhet se nuk ka nevojë financiare për të ushtruar profesionin.
Familja Assad, pas arratisjes së 8 dhjetorit 2024, mendohet se jeton në një zonë elitare, një komunitet i mbyllur pranë Moskës, i njohur për banorët e tij nga elita politike dhe ekonomike ruse. Megjithatë, sipas burimeve, ata janë të shkëputur nga rrethet e larta ruse dhe siriane, ndërsa Assad konsiderohet tashmë figurë pa ndikim politik.
Burime të afërta me familjen tregojnë se kontaktet e Assad janë shumë të kufizuara dhe se autoritetet ruse i kanë ndaluar çdo dalje publike apo intervistë mediatike. Edhe pse ka tentuar të flasë përmes mediave ruse dhe amerikane, këto dalje janë bllokuar nga Moska.
Ndërkohë, jeta e fëmijëve të Assad duket se vazhdon me më pak tronditje. Ata janë parë në ambiente elitare të Moskës dhe Emirateve, ndërsa vajza e tij, Zein al-Assad, ka përfunduar studimet në marrëdhënie ndërkombëtare në universitetin prestigjioz MGIMO.
Ish-zonja e parë, Asma al-Assad, e cila prej vitesh trajtohej për leucemi, raportohet se ka përmirësuar gjendjen shëndetësore pas një terapie eksperimentale në Rusi.




