Beni Arshiaj, 37 vjeç, u vra në mënyrë mafioze mbrëmjen e së dielës, në provincën e Pizës. I riu shqiptar ndodhej në furgonin e tij, ku autorë ende të paidentifikuar, u afruan dhe lëshuan mbi të breshëri plumbash.
Mbi të ranë pesë plumba, njëri prej të cilëve në kokë, duke mos i dhënë asnjë shans për t’i mbijetuar atentatit.
“Alarmin” për ngjarjen e rëndë e ngriti fqinja e tij që kishte dëgjuar të shtënat.
Ajo lajmëroi familjen për të shtënat, dhe trupi i pajetë u gjet nga bashkëshortja dhe fëmijë i viktimës. Viktima ishte baba i dy fëmijëve.
Si ndodhi atentati?
Ai ishte në furgonin e tij kur ndodhi gjithçka.
Nga një rindërtim fillestar duket se dy vrasësit ndodheshin në një motoçikletë dhe më pas u larguan nëpër rrugët e qytetit. Ata e kanë pritur viktimën dhe e kanë ndjekur deri në momentin e ngjarjes.
Prokuroria ka urdhëruar që trupi të transportohet në spital ku në orët në vijim do të bëhet ekspertiza e autopsisë.
Policia ka marrë celularin e viktimës për të kuptuar nëse mund të ketë të dhëna që ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Në këto orë hetuesit po analizojnë të gjitha kamerat e sigurisë në zonë. Asnjë pistë nuk përjashtohet.